Përleshje në burgun e Guantanamos

Disa të burgosur u përleshën me gardianët e burgut të sigurisë së lartë në Guantanamo, ndërsa autoritetet u përpoqën të zhvendosnin me forcë të dënuarit, disa prej të cilëve prej ditësh në një grevë urie. 

Ndërhyrja e autoriteteve erdhi pasi të burgosurit bllokuan pamjen e kamerave të sigurisë dhe dritaret e burgut të bërë të famshëm për izolimin ndër vite të shumë të dyshuarve për terrorizëm.

Në kontrolle, në disa prej qelive u gjetën “armë të improvizuara”,

Aksesi në Guantanamo është i ndaluar për mediat. Pentagoni thotë se numri i të burgosurve në grevë urie është 43, por avokatët mbrojtës japin një shifër më të lartë.

Rreth 10 të burgosur po ushqehen kundër vullnetit të tyre.

Nuk është ende e qartë se cili ishte qëllimi i kësaj revolte, por burime zyrtare konfirmojnë se gardianët rikthyen qetësinë pa lëndime serioze për të dënuarit apo forcat e sigurisë.

Megjithatë, një prej avokatëve mbrojtës u shpreh në mediat amerikane duke dënuar veprimet e autoriteteve, të cilat, sipas tij, po përpiqen të provokojnë një konflikt.

Lajme të ngjashme

Back to top button