Sot u riktheva përsëri në shkurt të këtij viti

Sapo vendosa t’i bëj një dedikim për këtë ditëlindje, për një moment i jetova edhe një herë të gjitha momentet që kaluam periudhën e fundit dhe që nuk kanë qenë aspak të lehta.

Si sot më kujtohet dita kur më tha se nesër do të shkojmë në Shkup, kemi termin për të bërë disa kontrolle te gjinekologu. Nëse telefonojnë motrat mos u trego se bëhen merak, thuaju se jemi në Tetovë te mjeku për disa kontrolle të thjeshta. E besova! Atë ditë kisha punë nëpër qytet, dhe sikur ta ndjenin të dyja motrat mu paraqitën në telefon, pyetja dihej, pse nëna nuk përgjigjet në telefon? Për të parën herë u mundova t’i ik situatës, e ja bëra disi, por prapë motra e vogël më telefonoi e më pyeti. S’munda ta mbaj e i tregova, ashtu siç më kishte thënë.

Mbarova punë e u ktheva në shtëpi, ishin kthyer edhe ata nga Shkupi. Si shkuan kontrollet? –Mirë! Përsëri e besova. Ishte periudhë provimesh dhe unë pjesën më të madhe të kohës isha lartë në dhomën time dhe nuk isha shumë në rrjedha me atë se çfarë ndodhte rreth e rrotull atë kohë. Më telefonoi prapë motra e vogël, më pyeti përsëri. Prapë i tregova ashtu siç më thanë!

Për një moment më thotë, nuk kanë qenë te gjinekologu, por kanë qenë diku tjetër dhe më tregoi se ku.  E kishte ndjerë se nuk është ashtu, dhe nëna i kishte treguar. Për një moment u shtanga dhe nuk dija se çfarë po mendoja, skenarët më të këqij mu shfaqën përpara syve. Nëna ime atë ditë nuk kishte qenë te gjinekologu por kishte bërë mamografi në një ordinancë private në Shkup, sepse dyshonte se ka kancer të gjirit.

Pasi mbarova bisedën me motrën, mu deshën disa minuta të merrja veten, dhe fillova të zbres shkallët ashtu ngadalë që mos të bëja zhurmë, dhe ndoshta të kap ndonjë informacion se çka flitej në sallon. Por nga salloni dëgjohej vetëm qetësi. Hyra në sallon, dhe direkt ju drejtova nënës, përse nuk më keni treguar? Nuk jemi të sigurt ende se çfarë është dhe nuk deshëm të të bëjmë merak sepse ke edhe provimet tani, ke hallet e tua.

Dhe kështu filloi të ma sqarojë të gjithën nga e para…

“Ishte nëntor i vitit të kaluar, isha duke ndenjur një mbrëmje në sallon, papritmas  vërejta se diçka kishte filluar të lëvizte në gjirin tim, për një moment u çova nga divani duke menduar se diçka nuk është në rregull, dhe ia tregova hallin babit tënd. Ditët në vijim menjëherë shkuam te doktorët në Tetovë për të bërë kontrollet e nevojshme, por doktorët në spital më thanë se nuk është asgjë. Të gjitha grave ju dalin gjëndra të tilla, nuk ka termin të lirë për të bërë mamografi deri në muajin MAJ.  Më udhëzuan të bëj eho në një ordinancë private E bëmë edhe këtë, dhe në imazhe u shfaq një pikë por doktorët më thanë nuk është asgjë për t’u shqetësuar.

Ajo çka gjendej përbrenda meje filloi të rritej, bashkë me të edhe shqetësimi im. Kështu, shkuam prapë te mjeku  i familjes, ia treguam hallin përsëri dhe ai na këshilloi që të shkojmë të bëj mamografi në një ordinancë private në Shkup, sepse atje kushtet ishin më të mira dhe zbulonin më mirë se çfarë mund të kisha.

Kështu e bëmë, termini i lirë i fundit ishte për sot dhe e rezervuam menjëherë dhe shkuam. Tani t’i presim rezultatet çfarë do të thonë, nuk e dimë ende se çfarë është.”

Kështu kaloi një javë duke pritur se çfarë do të thonë rezultatet.

Ditën që kishin shkuar ti merrnin rezultatet në Shkup, unë nuk isha në shtëpi kisha shkuar t’i ndihmoja një mikut në restorant sepse kishin goxha punë, por përbrenda nuk isha aspak i qetë sepse mendjen e kisha te rezultatet. E thirra babin në telefon, e pyeta hë i morët rezultatet? Po më tha por duhet ti shohë ndonjë mjek specialist dhe të përcaktojë se çfarë është. Ende mundoheshin të mos më tregonin të gjitha informacionet.

Ditët në vijim, kishim caktuar takim me një mjek në spitalin e Shkupit për t’i parë rezultatet dhe çfarë do të thoshte. Tani më isha edhe unë pjesë e këtyre vizitave te mjekët. Arritëm, duke qenë se ishte periudhë pandemie, mua nuk më la të hyj brenda. U përpoqa të dëgjoj diçka nga dera por asgjë nuk dëgjohej. I kishte parë rezultatet e kishte kontrolluar. Kishte kancer në gji! Menjëherë i caktoi termin për operacion javën e ardhshme, dhe paraprakisht të bënte disa kontrolle tjera.

Tani që po shkruaj, po e jetoj edhe njëherë të gjithë këtë histori. Biseduam edhe me motrat (të dy motrat e mia jetojnë jashtë shtetit, në Skandinavi), u treguam se si është situata, sepse na kishin thënë duam të na tregoni gjithçka ashtu si është e jo të marrim vesh nga të tjerët. Dhe kështu e bëmë!

Të dyja vendosën të vijnë, nuk deshën të na lënë ti jetojmë këto çaste vetëm! Motra e madhe mundi të vij përpara operacionit, kurse tjetra pas. Por të dyja vendosën që mos ti tregojmë menjëherë nënës sepse do të merakosej, ishte edhe kohë pandemie dhe lëvizjet  ishin të kufizuara, dhe do të mërzitej edhe më shumë.

I bëmë kontrollet e nevojshme, tani ishim duke pritur ditën për operacionin.

Paraprakisht, nëna vetëm thonte “më thotë një mendje se do të vijë “ajo e madhja””, nga brenda doja të ja konifrmoj këtë, por e mbajta premtimin e sa herë që ajo thoshte kështu unë i thoja jo se nuk vjen s’kanë pushim tash, nuk i lejojnë nga puna u munohesha ta gënjej. Por ajo përsëri vazhdonte dhe përsëriste këtë, madje një mbrëmje, kur edhe ishin afruar ditët më tha: shiko, lartë në garderobë në filan vendin janë jastëkët dhe pëlhurat, nëse vjen “ajo e madhja” ta dish.

Atë ditë që do të arrinte motra e madhe, pak orë përpara se të mbërrinte nëna ishte duke gatuar pite, dhe i them un, bëj pak më shumë se dot do na vijnë mysafirë, direkt ja preu mendja se kush dhe shpërtheu në lot.

Motra erdhi bashkë me fëmijët, ardhja e tyre na lehtësoi disi dhimbjen, sepse nuk i kishim parë më shumë se një vjet e diçka, shkaku i pandemisë. Kaluan edhe disa ditë dhe kështu erdhi dita kur shkuam përsëri në spital, tani më e dinim arsyen se pse!

Ishte një mëngjes shkurti, dhe ne u nisëm për në spital,  shkuam  dhe nënën e pranuan brenda. Ende nuk dihej se cilën ditë do e operonin, të nesërmen apo të pasnesërmen. Kështu e lamë nënën aty dhe ne u kthyem për në shtëpi, por një pjesë e jona ngeli në dyert e repartit të katit të pestë nëse nuk gabohen.

Ditën e operacionit,  ishim duke pritur në korridor dhe vetëm kur u hap dera dhe një krevat dilte nga ai repart, ishte nëna ime të cilën tani po e dërgonin poshtë për në sallë të operimit. Kur na pa ne u mërzit edhe më shumë, dhe kështu u nisën me ashensor për te salla, ky takim në korridor nuk zgjati as 30 sekonda.

Pritja në korridor mu duk se zgjati me muaj, dhe pas disa orësh u hap dera e ashensorit, operacioni kishte mbaruar me sukses dhe nënën ashtu të shtrirë në krevat e shtynë në repartin përkatës, këtë herë kjo zgjati më pak se 30 sekonda, me një gjysmëzëri na tha mirë jam.

Nëna pas ca orësh e kishte marrë veten, dhe thonte se ndjehet mirë. Sidoqoftë ne tani duhej të prisnim rezultatet nga operacioni për ca javë se çfarë do të thonin.

Kështu, pas disa ditëve nëna u kthye në shtëpi, gjendjen e kishte mirë, por prisnim rezultatet dhe kontrollin e ardhshëm. Kaluan disa ditë, motra e madhe shkoi kurse pas dy ditëve erdhi motra e vogël vetëm me djalin e vogël, sepse vajzat ishin në shkollë. Edhe ardhja e saj na ndihmoi dhe na lehtësoi dhimbjet, e sidomos atmosfera që krijonte nipi im 7 vjeçar.

Të gjitha rezultatet nuk dilnin menjëherë, sepse duhej kohë, por lajmet që merrnim ishin vazhdimisht të mira dhe pozitive. Kishim qenë me fat që nëna e kishte zbuluar në fazën shumë të hershme kancerin i cili sapo kishte filluar të zhvillohej, sepse në të kundërtën po të kishim pritur “terminin e majit”, gjendja do të ishte ashtu si nuk do të doja ta imagjinoja.

Ditë pas dite, nëna filloi të bëhet më mirë dhe tani filloi të merr kimioterapi, për të parandaluar rreziqet që ndoshta mund të përhapen përsëri. Edhe pse ky lloj terapie është i lodhshëm dhe të mundon por në fund të ditës ka sukses dhe është në të mirën tënde.

Në një nga terapitë, doktori i kishte thënë që duhet të jesh shumë e lumtur që tani kanë arritur të gjitha rezultatet dhe janë shumë mirë. “Mos e ço mendjen nga e keqja, duhet të mendosh vetëm pozitivisht sepse analizat i ke super”, i kishte thënë doktori.

Pas gati tetë muajsh nga fillimi i gjithë kësaj, sot është ditëlindja e saj, dhe vetë prezenca  e saj në mesin tonë është dhurata më e madhe për ne. Andaj, faleminderit të gjithë atyre që ishin aty me ne dhe për ne gjatë kësaj periudhe, aspak të lehtë për ne.

Nëna ime ja doli, arriti ta mund kancerin e gjirit. Ju apeloj të gjitha grave dhe vajzave që të bëjnë rregullisht kontrolle dhe mamografi, që të parandalojnë një gjë të tillë, sa më herët aq më mirë. Çfarëdo dyshimi të vogël që keni, shkoni te mjeku, sepse asgjë nuk humbni nga kontrollet. Gjithashtu apeloj deri te mjekët, stafi mjekësor dhe të gjithë ata që janë përgjegjës që të krijojnë më shumë kushte dhe më shumë termine në spitale, që gratë dhe vajzat të mund rregullisht të kryejnë kontrollet e tilla, e jo të presin terminet për mamografi me muaj kur edhe gjendja e tyre të jetë shumë më e rrënduar.

Gëzuar ditëlindjen nënë. Ti ja dole, je një heroinë e vërtetë!

Autor: Fisnik Xhelili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button