Kërçovë, ‘Bashkimi’ bojkotoi tubimin e Agora sepse s’kishte shqip

Grupi i vrojtuesve “Bashkimi” nga Kërçova bojkotoi tubimin “Tryeza e Rrumbullakët – Agora” sepse, siç deklaron lideri i këtij grupi Vesel Jenuzi, organizatorët kanë anashkaluar gjuhën shqipe si në thirrjen zyrtare me të cilën grupi është thirrur të marrë pjesë por edhe me mbishkrimet në pllakate të cilat, siç duket në fotografi, vendosen vetëm në gjuhën maqedonase. 

Në Kërçovë, ky projekt është organizuar nga grupi i vrojtuesve “Mirko Mileski” duke e lënë anash bashkëpunimin me vrojtuesit “Bashkimi” të cilët edhe pse janë nikoqir, nuk u konsideruan si të tillë.

“Ne kemi për qëllim që t’ju tregojmë kolegëve tanë se në këtë projekt të gjithë duhet të kemi të drejta të barabarta dhe për të gjithë njëjtë duhet të respektohet gjuha jonë amtare. Unë kam shfaqur indinjatën e grupit që përfaqësoj për mosrespektimin e gjuhës tonë amtare dhe pres përgjigje pozitive nga organizatorët që në të ardhmen, probleme të tilla të shmangen” tha Vesel Jonuzi, lider i grupit të vrojtuesve “Bashkimi” në Kërçovë. 

Grupi vrojtues “Bashkimi” është partner i projektit Agora, projekt që është nën kompetencat e SOROS dhe USAID, me qendër në Gjenevë dhe qendra bashkëpunimi në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Shkupin. Ky projekt ka për qëllim që nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta të grupeve të vrojtuesve  të thyej barrierat ndëretnike, ndër-fetare dhe ndër-racore. Ndërkaq një gjest i tillë është kundër normave të vetë projektit.

“Bashkimi” ligjërisht si partner i projektit “Agora” në Maqedoni e ka filluar punën para rreth një viti. Grupi numëron rreth tridhjetë anëtarë dhe aktivitetet e tyre tashmë janë të njohura si në qytetin e Kërçovës, në disa qytete tjera të Maqedonisë, disa projekte në Zvicër, por edhe me grupe vrojtuesish nga Kosova dhe Shqipëria me të cilët tashmë kanë një bashkëpunim të suksesshëm. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button