Kontestohen regjistrimet e doktoratave në UP

Në mars të vitit të kaluar, në një konkurs për doktoraturë, nëpër njësitë akademike kishin aplikuar dhjetëra studentë, të cilët pastaj i kishin ndjekur të gjitha procedurat, por kurrë s’kishin mësuar publikisht nëse ishin pranuar apo jo. Disa prej tyre nëpërmjet lidhjeve e kishin kuptuar se janë pranuar, mirëpo meqë programet e tyre s’ishin akredituar, atëherë pritet që ata t’i nënshtrohen sërish aplikimit.

S.M. është vetëm njëri nga dhjetëra kandidatë, që për më tepër se një vit ka shpresuar se një ditë do t’i nisë studimet e doktoraturës në Universitetin e Prishtinës. Ai, si edhe shumë të tjerë, është viktimë e një konkursi nga menaxhmenti i kaluar i Universitetit të Prishtinës, i drejtuar nga rektori Mujë Rugova. Disa njësi akademike të UP-së për të cilat ishte shpallur konkursi, më vonë janë kontestuar nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës (AKA), ani pse zyrtarët e UP-së theksonin se krejt programet paraprakisht janë akredituar, shkruan Koha Ditore

Programe të akredituara për pranim studentësh në doktoraturë, sipas zyrtarëve të akreditimit, ka pasur në Fakultetin Juridik, në Bujqësi, në Mjekësi, në Ekonomi dhe në drejtimin e Historisë në Fakultetin Filozofik. Në të gjitha këto, tashmë studimet e doktoraturës kanë filluar, kurse në të tjerat si FSHM, Filologji, në disa drejtime të mjekësisë, në Kulturë Fizike, të Inxhinierisë, ende jo. Aktualisht, në AAK, sipas këshilltarit të rektorit Ibrahim Gashi, Ardian Kastrati, janë duke u shqyrtuar 14 programe doktoraturash, në 6 njësi akademike.

Lajme të ngjashme

Back to top button