Majlinda Kelmendi renditet xhudistja më e mirë në botë në kategorinë deri 52 kilogramë

Majlinda Kelmendi prej ditës së djeshme është xhudistja më e mirë në botë në kategorinë deri 52 kilogramë.

Ajo mund të llogaritet më e mira, nëse për bazë merret ranglista botërore që nxirret në bazë të rezultateve të arritura nëpër turne të ndryshme.

21-vjeçarja nga Peja, prej të enjtes është e para në ranglistën e kategorisë deri në 52 kilogramë. Ka 1.480 pikë, dhe udhëheq para japonezes Yuki Hashimoto, e cila deri tani ishte e para. Hashimoto ka rënë në pozitën e dytë me 1.310 pikë.

Kelmendi deri te pozita e parë arriti falë serisë së suksesshme të realizuar në gjashtë muajt e fundit, përkatësisht pas Lojërave Olimpike “Londra 2012”, ku nuk ia doli të futej në luftë për medalje.

Kelmendi të shtunën doli e para në turneun “Grand Prix”, të mbajtur në Samsun të Turqisë. Me këtë sukses ajo fitoi 300 pikë në ranglistën botërore. Në shkurt u paraqit edhe në dy finale të turneve të mëdha. Në turneun “Grand Slam” të mbajtur në Paris, doli e dyta dhe fitoi po ashtu 300 pikë, ndërsa për medaljen e artë që e fitoi në turneun “Grand Prix” në Duesseldorf, fitoi edhe 300 pikë të tjera. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button