Bakiu: Prania e forcave policore do të mobilizojë shqiptarët dhe do thellojë fitoren e Selës

Prania e forcave të shtuara policore që po vërehet këto ditë  në prag të zhvillimit të raundit të dytë zgjedhor është konsideruar si presion ndaj qytetarëve nga shtabi i kandidatit shqiptar për komunën e Strugës Ziadin Sela, ndërsa qytetarët kanë theksuar se janë të shqetësuar nga kjo situatë e pazakontë që po ndodh në qytetin e tyre.

Profesori universitar Qashif Bakiu në një prononcim për Portalb.mk vlerëson se me këtë akt, institucionet shtetërore, po krijojnë një kundër efekt tek shqiptarët dhe do të përballen e një reagim edhe më të ashpër, duke dalur në mënyrë masive në zgjedhje dhe përmes votës së lirë me mbi 22 mijë vota do ti sigurojnë fitoren kandidatit shqiptar Ziadin Sela.

“Shqiptarët e kanë të njohur tashmë praktikën e presionit me forca të njësiteve speciale policore. Prandaj mendoj se kjo praktikë e presionit vetëm i ka mobilizuar për të realizuar qëllimet e tyre. Vlerësim i përgjithshëm është se me forcat policore nëpër fshatrat shqiptare, vetëm mund t’a rrisin aktivitetin zgjedhor të shqiptarëve në Strugë, me ç’rast kandidati shqiptar Ziadin Sela, në vend të 20 mijë votave të raundit të parë, kësaj rradhe të kaloj në 22-23 mijë” tha Prof.Dr Bakiu. 

Bakiu thekson se qytetarët shqiptarë duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien në provokime, ndërsa apelon tek partitë shqiptare që të kujdesen për bizneset shqiptare të mos dëmtohen pa të drejtë.

“Popullata shqiptare duhet të jetë e kujdesshme nga provokimet e mundshme, si nga njësitet policore poashtu edhe nga individë të caktuar të cilët mund të kenë për qëllim krijimin e incidenteve. Ndërkaq strukturat partiake shqiptare nuk duhet të lejojnë që qytetarët, biznesi, prodhuesit shqiptarë të jenë shënjestër e dikujt që për shkak të fantazive se gjoja mund të fitohet Struga, të dënoj dhe të malltretojë në çfarëdo lloj mënyre qytetarët shqiptarë” përfundoi Prof.Dr Qashif Bakiu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button