SHBA-ja do ta vazhdojë mbështetjen ajrore për forcat afgane në luftën kundër talebanëve

Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre ajrore për forcat afgane në javët e ardhshme kundër talebanëve, të cilët kanë rritur sulmet e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komandanti i Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), gjeneral Kenneth McKenzie, u tha gazetarëve dje se kanë ofruar mbështetje ajrore për luftën e vazhdueshme të forcave afgane kundër talebanëve në rrethinën e Kandaharit.

“Shtetet e Bashkuara kanë rritur sulmet e tyre ajrore me mbështetjen e forcave afgane gjatë ditëve të fundit. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë mbështetje në javët në vijim nëse talebanët vazhdojnë sulmet e tyre”, tha McKenzie.

McKenzie theksoi se “fitorja e talebanëve nuk është e pashmangshme” në Afganistan dhe se ata do të vazhdojnë të sigurojnë mbështetje logjistike për forcat afgane edhe pasi tërheqja e trupave të huaja nga vendi të përfundojë më 31 gusht.

Lidhur me sulmet e intensifikuara të talebanëve, McKenzie deklaroi se qeveria afgane po përballet me kohë të vështira, por shtoi se do të bëhet e qartë brenda “ditësh dhe javësh” se qeveria mund të mbrojë vendin kundër talebanëve.

“Nuk mendoj se do të jetë një rrugë e lehtë, por nuk e pranoj retorikën se do të ketë një luftë civile të detyruar”, tha McKenzie.

Në deklaratën më të fundit nga CENTCOM, u njoftua se afërsisht 95 për qind e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani ka përfunduar.

Ndryshe, militantët talebanë kanë shtuar sulmet e tyre në vazhdën e tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani.

Sipas informacioneve të siguruara nga AA nga autoritetet lokale, talebanët kanë kapur më shumë se 150 nga 407 rrethe në vend. Nga ana tjetër, talebanët pohojnë se numri rretheve nën kontrollin e tyre është 256.

Në Afganistan, 34 qendra provincash janë nën kontrollin e forcave të qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button