“Zhurma” e madhe në lidhje me rezolutën për Srebrenicën

Serbia vazhdon të mohojë të kaluarën, me elitat e saj politike duke përdorur rezolutën për të kundërshtuar Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë duke shpresuar se kjo lëvizje do t’u sjellë atyre popullaritet më të madh në vend.

Vladimir Djordjevic
Vladimir Djordjevic

Lëvizja e fundit e Podgoricës zyrtare, me të cilën Parlamenti malazes së fundmi miratoi një rezolutë mbi Srebrenicën, e cila e përkufizon si një akt gjenocidi, nxiti një sërë reagimesh të ashpra nga Beogradi zyrtar. Jo vetëm që autoritetet serbe e refuzuan kategorikisht këtë rezolutë, por ata gjithashtu shkuan një hap më tej, ashtu siç pritej, duke akuzuar një pjesë të elitës politike malazeze si anti-serbe, madje duke përdorur një fjalor tepër injorant. Duke deklaruar se „rezoluta po përpiqet të stigmatizojë të gjithë kombin serb”, Ministri i Jashtëm serb Selakoviç vuri në dukje se elitat politike në Beograd e konsiderojnë rezolutën e Podgoricës si shumë të papërshtatshme, njëherit duke e quajtur atë hipokrite dhe cinike.

Nuk ka dyshim se lëvizja e Podgoricës do të sjellë probleme shtesë në marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat kanë qenë nën nivelin e merituar nga historia e përbashkët e këtyre vendeve për vite me radhë, pavarësisht nga të gjitha diskutimet shumë të njohura për lidhje të pretenduara vëllazërore midis këtyre vendeve. Këtu duhet të përmendim gjithashtu edhe kontekstin: zgjedhjet në Malin e Zi vitin e kaluar u ndikuan në mënyrë të konsiderueshme nga Kisha Ortodokse Serbe në lidhje me çështjen e lirisë fetare dhe në atë kohë „Ligjit famëkeq për lirinë e fesë dhe besimit dhe statusin ligjor të bashkësive fetare“, që do të thotë se marrëdhëniet e ndërsjella do të mbeten edhe më tej delikate. Mali i Zi mbetet e ndarë përbrenda në lidhje me këto çështje dhe kjo lëvizje e fundit e Podgoricës nuk do të ndihmojë në zbutjen e këtyre tensioneve. Ne do të jemi dëshmitarë, për fat të keq, të vazhdimit të përplasjeve politike midis shteteve, çmimin e të cilave do ta paguajnë qytetarët, kurse tensionet në rajon do të rriten. Kjo ngjarje na mëson se e ardhmja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbetet e pasigurt sepse, siç mund të shihet shumë vite më parë, „grindjet për të kaluarën nuk janë mënyra për të ndërtuar të ardhmen“.

E gjithë historia duket veçanërisht shqetësuese sepse elitat politike serbe vazhdojnë të shohin të gjitha diskutimet në lidhje me Srebrenicën (lexo: në lidhje me gjenocidin) si politika antiserbe. Prandaj, veprimet e tilla ata i shohin sikur po i atribuojnë fajin kolektiv të gjithë serbëve. Në realitet, rezoluta tregon theksin mbi përgjegjësinë e individëve që kishin marrë pjesë në gjenocid. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme politikisht për Serbinë dhe Malin e Zi, pasi rezoluta mund të thellojë më tej problemet ekzistuese në lidhje me identitetin e vendit dhe të çojë në një krizë të re politike që do të kaplojë të gjithë rajonin.

Nuk ka nevojë që Beogradi të refuzojë çështjen e fajit kolektiv…

… kur rezoluta e përmendur nuk ka supozime të tilla. Në atë kuptim, rezoluta nuk ka për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj serbëve ose të bëjë ndërlidhjen e tërë kombit serb me gjenocidin. Në vend të kësaj, rezoluta, siç tha Davide Sassoli, President i Parlamentit Evropian, paraqet „një hap të rëndësishëm përpara në pajtimin e Ballkanit, i cili është në përputhje të plotë me vlerat evropiane“. Prandaj, rezoluta „e cila dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë dhe ndalon mohimin e tij është një hap i madh drejt pranimit të së vërtetës për ngjarjet e viteve 1990 dhe paraqet themel për ndërtimin e mëtejshëm të besimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve më të mira midis shteteve dhe popujve të Ballkanit“. Sidoqoftë, Beogradi vazhdon ta trajtojë këtë çështje nga një pikëpamje në dukje morale, por, në thelb, thellësisht praktike e cila ka të bëjë me politikën e brendshme.

Kështu, elitat politike serbe, disa prej të cilave ishin shumë të zëshme në vitet 1990 dhe kishin pikëpamje radikale mbi shpërbërjen e Jugosllavisë Socialiste, e shikuan çështjen e Srebrenicës si çështje të një lufte të supozuar morale të kombit serb. Në realitet, megjithatë, elitat po përpiqen të mbrojnë veten duke përdorur këtë çështje, përmes së cilës gjoja po mbrojnë “interesat kombëtare”, kurse qëllimi është të sigurojnë vota të mjaftueshme “patriotike” në zgjedhjet e ardhshme. Duke theksuar faktin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) „liroi Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për aktet e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë në periudhën midis vitit 1992 dhe 1995“, elitat politike në të njëjtën kohë nuk arritën të pranojnë ose marrin përgjegjësinë e shtetit, se ajo nuk kishte vepruar sa duhet dhe mjaftueshëm për të ndaluar gjenocidin e përmendur.

Prandaj, ata janë angazhuar në politizimin e së kaluarës, i cili, në terma afatshkurtër, sjell përfitime (lexo: vota), por në planin afatgjatë është i dëmshëm për marrëdhëniet rajonale. Elitat politike vazhdojnë të refuzojnë gjenocidin dhe në të njëjtën kohë u dërgojnë një mesazh të qartë zgjedhësve të tyre (dhe bashkësisë ndërkombëtare) se pajtimi mbi këtë çështje mbetet edhe më tej një temë tabu në Serbi, me çrast më shumë angazhohen për vota sesa të ballafaqohen me të kaluarën. Megjithëse kjo qasje ka sjellë vërtet përfitime për elitat politike për shumë vite me radhë, megjithatë është ende një qasje shumë problematike kur bëhet fjalë për marrëdhëniet rajonale. Nëse nuk ka konsensus për çështjen e Srebrenicës në nivelin rajonal,  atëherë është e pamundur të vendosen marrëdhënie të mira dhe fqinjësore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që në fund të fundit vë në pikëpyetje pranimin e Serbisë në BE.

Për më tepër, refuzimi i gjenocidit do të lejojë gjithashtu shfaqjen e një numri diskursesh nacionaliste në Serbi që gjithashtu mohojnë gjenocidin (dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Republika Srpska), sepse „serbët janë viktima që stigmatizohen nga bota“. Kjo situatë nuk duket se do të ndryshohet lehtë, pasi kërkon marrjen e përgjegjësisë „që shteti serb të pranojë fajësinë e mundshme. Kjo do të jetë e mundur vetëm përmes një transformimi rrënjësor të shoqërisë serbe“, gjë që, më vjen keq ta them, nuk mund të ndodhë nëse elitat politike nuk japin një shembull të tyre personal në këtë drejtim.

Një krizë e fshehtë politike në Mal të Zi…

… padyshim se do të dalë nga rezoluta e lartpërmendur, e cila vë përsëri në fokus Presidentin aktual Gjukanoviç, partia e të cilit DPS së fundmi fitoi forcë me qeverinë e koalicionit në krizë, nxitur nga miratimi i rezolutës së Srebrenicës në Parlamentin e Malit të Zi. Prandaj, DPS mund të jetë gati për një fillim të ri dhe një kthim të mundshëm në skenën politike nëse zgjedhjet mbahen në muajt e ardhshëm, të cilat, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, do të jenë definitivisht të tensionuara. Një gjë është e sigurt: çështja e identitetit në Malin e Zi, e cila lind kryesisht nga vetë-identifikimi ose si serb ose si malazez, në aspektin etnik, kulturor dhe gjuhësor, do të vazhdojë të jetë çështje aktuale në politikën e vendit në muajt e ardhshëm (dhe me shumë siguri, edhe në vitet e ardhshme).

Kjo çështje do të komplikojë më tej politikën në Mal të Zi, për të cilën kemi qenë dëshmitarë në tre dekadat e fundit, duke nxjerrë në pah ato „periudha kritike në ndarjen midis shtetësisë dhe identitetit në Malin e Zi“. Kjo kthesë e ngjarjeve është gjithashtu një ftesë për Kishën Ortodokse Serbe që të ri-hyjë në politikën malazeze në mënyrë që të jetë edhe një herë dominuese në të. Kisha Ortodokse Serbe ishte shumë aktive në zgjedhjet e vitit të kaluar, të cilat i dhanë fund sundimit 30-vjeçar të udhëhequr nga DPS-ja, duke mbështetur kundërshtimin ndaj qeverisjes së Gjukanoviç. E gjithë kjo pa dyshim që do të ndikojë në marrëdhëniet e Malit të Zi me Serbinë dhe do të komplikojë marrëdhëniet shumë delikate dhe të sikletshme midis dy vendeve.

Përfundim

Ne jemi dëshmitarë të një zhvillimi shumë drithërues në këtë rajon, duke pasur parasysh gjërat që kemi përmendur më parë. Nga njëra anë, Mali i Zi është qartë në një rrugë drejt një të ardhmeje që do të jetë shumë e komplikuar. Rezoluta çoi në përçarje rajonale me Serbinë, dhe rindezi debatin me dekada në lidhje me identitetin në Malin e Zi. Për fat të keq, DPS-ja, si një parti e përqendruar në sovranitetin e vendit, që ka qenë në pushtet për 30 vjet, si dhe partitë e opozitës që hynë në koalicion vitin e kaluar, kurrë nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë Malit të Zi një identitet të duhur politik qytetar. Kjo e la vendin të mbyllur në një rreth vicioz të përçarjes dhe çoi në një „shoqëri të polarizuar” që dukej se „po zhytej gjithnjë e më thellë në përçarje të ndërsjellë“.

Si rezultat, rezoluta e Srebrenicës jo vetëm që do të forcojë ndarjet në Mal të Zi, por do të vazhdojë të jetë një pikë tjetërsimi që do të ndajë më tej serbët dhe malazezët në këtë vend të vogël në bregdetin e Adriatikut. Pa aktorë të brendshëm politikë të aftë dhe të gatshëm t’i ofrojnë Malit të Zi një rrugë qytetare drejt BE-së, si duket vendi do të mbetet i mbërthyer në të kaluarën dhe do të merret me ndarjet e vjetra, në vend që të veprojë si një vend kandidat për në BE dhe të vendosë standarde dhe të jetë shembull për vendet e tjera në rajon. Kjo sjellje nuk duhet të pritet nga një vend që shpesh etiketohet si një udhëheqës rajonal në procesin e anëtarësimit në BE.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të mohojë të kaluarën, me elitat e saj politike duke përdorur rezolutën për të kundërshtuar Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë duke shpresuar se kjo lëvizje do t’u sjellë atyre popullaritet më të madh në vend. Ata janë skajshmërisht të painteresuar për ndërtimin e mirëfilltë të marrëdhënieve të mira fqinjësore, përveç nëse diskutimi dhe korniza nuk përjashtojnë asnjë përmendje të përgjegjësisë së shtetit serb për atë që ndodhi në konfliktet në ish Jugosllavi në vitet 1990. Kjo do të thotë që diskurset nacionaliste serbe vazhdojnë të mbahen gjallë dhe, për fat të keq, të kthehen pa fat kur të jetë e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button