RDK: Nuk i japim llogari Artan Grubit

Vazhdojnë përplasjet mes RDK dhe BDI. Partia e Rufi Osmani doli me kundër-reagim ndaj deklarimeve të BDI-së duke theksuar se kandidati i tyre për kryetar komune në Gostivar është në përparësi pas raundit të parë me 701 vota edhe përkundër manipulimeve dhe keqpërdorimeve që sipas tyre janë bërë në Gostivar.

“Këtë tashmë e dinë të gjithë, përveç personave dhe mediumeve të verbëruar politikisht. Prognozat e ndryshme politike apo partiake asnjëherë nuk mund të realizohen e as të rezultojnë të sakta në një terren ku mbretëron stili latino-amerikan i zgjedhjeve, ku ka blerje masive të votave dhe ku vet komisionet komunale zgjedhore janë të përfshira në falsifikimin e rezultateve të votimeve, siç ishte rasti i fundit në komunën e Çairit” thonë nga RDK.

Ata demantuan përhapjen e lajmit se RDK do t’i mbështesë të gjithë kandidatët e PDSH-së në raundin e dytë duke thënë se deklaratat e dhëna në Alsat-M nuk përkojnë me deklarimin në konferencën e shtypit sot të shefit të shtabit të kësaj partie, Artan Dika. Ai shprehi keqardhje se RDK deri më tani nuk ka pasur mundësi të reklamohet në këtë televizion ku i është kërkuar 10 euro për një sekondë të vetme për dallim nga BDI që vetëm për 19 ditë fushatë, ka paguar shuma të mëdha, mbi 156.000 euro. 

Dika ka thënë se RDK dhe funksionarët e saj nuk e shohin të nevojshme të ju japin llogari njerëzve sipas tyre, të diskredituar, si që është Artan Grubi.

Lajme të ngjashme

Back to top button