Edhe kleriku i Britanisë së Madhe jep dorëheqje

Kleriku më i lartë katolik në Britaninë e Madhe, kardinali Keit O’Brajwn jep dorëheqjen nga posti i kryepeshkopit të Shën Endrjus dhe Edinburgut të Skocisë, pas akuzave për sjellje të pahijshme me priftërinj, në vitet ’80. 

Kisha Katolike e Skocisë njoftoi se Papa Benedikti XVI ka pranuar dorëheqjen e O’Brajën. Pas dorëheqjes, kardinali ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Konklavën që do të zgjedhë pasuesin e Papës gjatë muajit mars, duke e lënë Britaninë në këtë mënyrë, pa asnjë përfaqësues në këtë proces.

 Në një komunikatë për mediat, ai njoftoi se Papa do të caktojë një administrator apostolik që të drejtojë dioqezën, derisa të vendoset zëvendësuesi i tij. Tre priftërinj dhe një ish-prift depozituan para disa ditësh deklaratat e tyre tek nunci papal, Antonio Menini, ku e akuzonin kardinalin O’Brajën për sjellje të pahijshme, siç janë shprehur ata. Madje, mediat britanike raportojnë se një prift ka pasur nevojë për këshillim psikologjik pas marrëdhënies me O’Brajën.

Në një ankesë tjetër, një prift u shpreh se ishte 18 vjeç kur u përball me ngacmimet e tij, teksa një tjetër prift tha se ai është ngacmuar pasi kanë pirë në orët e vona. Këto dhe hijet e skandaleve të korrupsionit në Vatikan, po trondisin selinë e shenjtë këto ditë. Gjithçka po ndodh në një kohë, kur Kolegji i Kardinalëve po përgatitet të zgjedhë Papën e ri, pas largimit më 28 shkurt të Benediktit XVI./ShekulliOnline

Lajme të ngjashme

Back to top button