Pesë vite me radhë është shitur qumësht kancerogjen?

Ministria serbe e bujqësisë me vite ka fshehur faktin se në vitin 2008 në qumësht ka pasur sasi dhjetëfish më të lartë të aflatoksinit në qumësht, se sa që ka sot – njoftoi portali serb “Kurir”. Sipas portalit, arsye për këtë është misri me helm që është shfrytëzuar për t’i ushqyer kafshët. Poashtu thuhet se viti 2007 ka qenë viti më i thahtë në Serbi që do të thotë se aflatoksinet në qumësht kanë hyrë në vitin 2008 dhe pesë vite me radhë organet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asgjë. Për qumështin e këtillë në Maqedoni akoma nuk ka informata.

Nga ana tjetër, Agjencia për ushqim dhe veterinari e Maqedonisë dje bëri me dije se nga qumështi i importuar nga Serbia, kontestues është vetëm një sasi e caktuar e prodhimit “MOJA KRAVICA 2,8% MM”, me afat përdorimi deri më 14 gusht të vitit 2013, nga prodhuesi IMLEK, Beograd.

Agjencia njofton se pas njoftimit zyrtar që e kanë marrë dje nga Drejtoria serbe për veterinari, se në Serbi janë tërhequr nga shitja disa lloje të qumështit nga prodhues të ndryshëm, te të cilat është konstatuar prezencë e shtuar e aflatoksinës M1 mbi kufijtë e lejuar, inspektoret e saj menjëherë kanë dalë në terren dhe kanë filluar me kontrollet në pikat e shitjes dhe në depot e importuesve.

Sipas Agjencisë, e gjithë sasia e importuar ndodhet në depot e importuesit, që do të thotë se produkti kontestues nuk është lëshuar në shitje.

“Inspektorët nga Agjencia morën mostër nga produkti i përmendur, me qëllim që të konstatohet se a ka prezencë të aflatoksinës M1, varësisht nga raporti laboratorik do të merret edhe vendimi përkatës”, thonë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari.

Në të njëjtën kohë, si rezultat i vendimit të marrë për analizë të obligueshme laboratorike të qumështit dhe produkteve të qumështit të cilat importohen në Republikën e Maqedonisë, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Republikës së Maqedonisë informoi se ka konfirmuar prezencë të shtuar të aflatoksinës M1 në edhe një produkt me prejardhje nga Republika e Kroacisë.

“Bëhet fjalë për produktin ‘Qumështi Dukat UHT 2,8%MM + 7 vitamina 1L’, me afat përdorimi deri më 19.04.2013. E gjithë sasia e këtij produkti (rreth 2.000 litra), ndodhet në depon e importuesit, gjegjësisht aspak nuk është lëshuar në shitje dhe i njëjti, në pajtim me procedurën ligjore do të shkatërrohet. Produktet e tjera nga dërgesa e përmendur (gjithsej 35) janë në rregull dhe ato do të lëshohen në shitje”, thonë autoritetet kompetente. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button