Bisedimet vazhdojnë…

Në Bruksel pritet të vazhdojë sot dita e dytë e rrethit të pestë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryeministrave: Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. 

Edhe në këtë takim, ndërmjetësuese do të jetë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Burime të BE-së thonë se dialogu do të nisë sapo të lirohet baronesha Ashton, e cila paradite merr pjesë në takimin e Kolegjit të komisionarëve evropianë.

Po sipas burimeve të bllokut, takimi i së martës i dy kryeministrave ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive, por, megjithatë, deklarata zyrtare për rrjedhën e tij nuk janë bërë publike.

“Ne tani jemi duke diskutuar për çështje të vështira, siç është veriu i Kosovës, andaj është e qartë se duhen shumë konsultime dhe sqarime të hollësive, sepse kjo nuk është temë e lehtë”, kanë thënë burimet e BE-së.

Takimi i djeshëm ka zgjatur më shumë se tre orë. Para takimit direkt, Thaçi dhe Daçiq kanë takuar ndarazi baroneshën Ashton.

Kryeministri i Kosovës ka takuar edhe dy krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Në të dyja këto takime, liderët e BE-së kanë shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të jenë konstruktive në dialog.

Ata kanë thënë se rezultatet e këtij procesi do të jenë esenciale për përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër, Barroso e ka quajtur këtë javë kyçe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, disa burime të bllokut evropian thonë se nëse kësaj radhe nuk do të ketë marrëveshje konkrete, nuk do të thotë se nuk do të shënohet përparim, sepse “çështjet si veriu nuk mund të zgjidhen brenda ditësh”.

Andaj, në BE paralajmërojnë se edhe pas këtij rrethi, do të ketë takime të tjera midis kryeministrave Thaçi dhe Daçiq.

Bisedimet, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button