Ska më edhe profesorë edhe politikanë !

Me ndryshimet e reja në ligjin për arsim të lartë të miratuara nga Kuvendi i RM-së, tashmë nuk do të lejohet bartja e dy posteve njëkohësisht, qe do te thotë se sipas ligjit te ri te gjitha ata qe jane te zgjedhur ose emëruar nuk do kenë të drejtë më të ushtrojnë punën si profesorë ose asisentë në universitetet dhe institucionet e tjera arsimore në vend.

Zëvendës ministri i arsimit Safet Neziri thekson se zbatimi i këtij ligji do të mbikëqyret nga Ministria e Arsimit dhe Inspektorati shtetëror për arsim, por shton se për këtë duhet të marrin masa edhe vetë Universitetet.

“Është detyrë e Universiteteve dhe e Inspektoratit shtetëror për arsim që tashmë pas votimit të këtij ligji ata të marrin masat për të mos shkaktuar shkelje. Bartja e dy posteve apo funksioneve paraqet një shkelje ligjore dhe kjo është e sanksionueshme. Ne si ministri jemi në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe pa marr parasysh rrethanave do të zbatojmë ligjin me përpikshmëri”, u shpreh për Portalb.mk zëvendës ministri i arsimit Safet Neziri.

Deputeti Izet Zeqiri theksoi se sa i përket atij, ai do të respektojë vendimin e këshillit mësimor shkencor dhe do të zbatojë detyrën e tij në bazë të rregullave dhe ligjeve të parapara.

“Mendoj se është një vendimi gabuar, megjithatë që duhet të respektohet.  Ky ligj që mendoj se është iniciativë e VMRO-DPMNE-së vjen si pasojë e asaj se ata vetë në kuadrot e tyre nuk kanë asnjë profesor.  Nuk e shoh të arsyeshme që një bartës i ndonjë funksioni publik të mos mundet të punojë në fundjavë, është e pakuptimtë nëse një kirurgu nuk i lejohet të ushtrojë profesionin e tij nëse është politikan dhe ka funksion publik, ndërsa për të mund të kenë nevojë edhe vetë qytetarët.  Ndërprerja e lidhjes dije-institucion  është e dëmshme dhe e  padobishme. Gjithsesi uroj që edhe për këtë ligj të mos ketë respektim selektiv siç jemi mësuar të shohim nga kjo qeveri”, u shpreh deputeti Izet Zeqiri për Portalb.mk 

Me këtë ligj pritet të paraqiten shumë probleme për universitetet të cilët në kuadrot e tyre të mësimdhënësve kanë edhe deputetë, ministra, kryetarë komunash apo personat tjerë të zgjedhur ose të emëruar me funksion e politike.

Përveç deputetit Zeqiri politikanë tjerë që përveç funksionit publik kryejnë edhe funksione tjera janë edhe ministri Fatmir Besimi, nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi, nënkryetar i Këshillit Radiodifuziv Milaim Fetai, Memet Selmani, drejtor i Qendrës konservatore nacionale, kryetari i komunës së Gostivarit Rufi Osmani, Teuta Arifi si dhe mësimdhënës dhe funksionarë të tjerë, më parë si mësimdhënës kanë qënë edhe Abdylaqim Ademi dhe Ermira Mehmeti por tashmë ata nuk ushtrojnë këtë detyrë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button