E-ditarët, nuk përmirsohen problemet por dënohen arsimtarët

Ditarët elektronik përveç problemit teknik me gjuhën shqipe, ato nuk përdoren në një pjesë të madhe të shkollave, kjo për faktin se shumë arsimtarë të moshës më të vjetër nuk kanë arritur ta përvetësojnë programin, ndërsa shumë mentor të rinj ankohen se shkollat nuk i kanë pajisur me laptopë.

Bilgin Ajredini, përgjegjës në Shkollën e mesme të kimisë ‘Marija Kiri Skllodoska’ thotë se për fat të keq nuk kanë pasur as trajnime nga MASH për programin edubuntu dhe E-ditarët.

‘Sa i përket ditarëve elektronik në shkollën tonë fatkeqësisht nuk ka pasur sepse siç dihet paralelet në shqip janë hapur dy vitet e fundit, dhe nuk e kemi arritur periudhën e trajnimit. Në shkollën tonë të gjithë profesorët që ligjërojnë në shqip për fat të mirë janë të rinj dhe nuk hasin në vështirësi, mirëpo thënë të drejtën kemi probleme teknike si gjatë shkuarjes së orëve të mësimit, sepse kjo është punë shtesë të cilën duhet ta bëjmë në shtëpi sepse mundësit e shënimit apo punimit në orë të mësimit do të na merrnin shumë kohë, dhe do të mbesim mbrapa me mësime’ tha Ajredini.

Arsimtarët më të moshuar kërkojnë trajnime shtesë.

“Ne si kuadër më i vjetër dhe që jemi para pensionit e kemi shumë vështirë të adaptohemi me këtë mënyrë të vendosjes së notave. Kemi pas trajnim, mirëpo ai nuk është i mjaftueshëm për gjeneratën tonë. Paralajmërohen inspeksione dhe dënime, që për standardin tonë janë shumë të mëdha. Vetë mosha e bën të veten, qëllimi është të na lehtësohet puna e jo kështu të na ngarkojnë” thotë një arsimtare nga SH.F ‘Migjeni’ Tetovë.

Por Portalb rastisi edhe në profesorë të cilët nuk janë pajisur me laptop nga ana e shkollës.

‘Personalisht nuk kam qenë në asnjë trajnim, por nuk kam hasur në vështirësi për të punuar në ditarin elektronik. Shoh koleg dhe anëtarë të familjes që punojnë në arsim dhe që janë më të moshuar flasin për vështirësi. Problemi me të cilin ballafaqohem unë është se si mua edhe shumë kolegëve të mi të rinj nuk na kanë dhënë laptop ashtu siç ndau qeveria vite më parë’ tha Vedat Mustafa, profesor në ‘ Marija Kiri Skllodovska’-Shkup.

Por, edhe pse me ligj që nga viti 2011 parashihet evidenca në to, 128 shkolla aspak nuk evidentojnë nëpër ditarët elektronik. Kundër ligjit nga gjithsej 461 shkolla, veprojnë 86 të mesme dhe 42 fillore, pjesa më e madhe në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë.

Për arsimtarët të cilët nuk evidentojnë në E-ditarë janë paraparë gjoba në të holla./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button