Rama: Shifrat e qeverisë për rritjen ekonomike, të manipuluara

Kryetari i PS-së Edi Rama e ka cilësuar si të manipuluara të dhënat e qeverisë për rritjen ekonomike.Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama theksoi se ekonomia shqiptare është rrënuar dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente.Rama ka ripërsëritur sërish se duhet t`u hiqet taksat biznesit të vogël për të bërë të mundur edhe ndalimin e rrënimit.

“Është e kotë të diskutojmë nëse jemi në një periudhë krize pasi shifrat tregojnë se jemi në një periudhë të rrënuar të ekonomisë reale. Kjo është më shumë se një recesion. Kjo është më shumë se një krizë ciklike, kjo është pasqyra e shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi e sigurisht përkon me dallgët e një krize ekonomike më të madhe se territori i Shqipërisë. Në këto kushte dua të përsëris se është e domosdoshme që të ndërmerret ai hap që kemi kaq kohë që e themi, heqje takse biznesit të vogël se cdo muaj që kalon përkon me një rrënim që për shumë biznese mund të jetë një rrënim i pakthyeshëm. Nëse llogarisim rënien e xhiros kombinuar me rritjen e borxheve apo të numrit të njerëzve në librat e veresijeve jemi në kushtet ku ekonomia reale është në një gropë thithëse që e tërheq edhe më shumë” tha Rama.

Sipas tij, jemi në kushtet kur të dyja opsionet janë më shumë se alarmante për ekonominë sot dhe çfarë na pret nesër nëse nuk ndërhyhet menjëherë.

Rama shtoi më tej se pikërisht prej situatës aktuale duhet votë në 23 Qershor nga gjithë shqiptarët për të frenuar rrënimin e ekonomisë, e për të vijuar më pas me rilindjen e saj./Botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button