Shqipëri, 45 vjeçari vdes nga ‘Viagra’ në një motel, e dashura largohet

Dëshironte të kalonte disa orë me të dashurën, por dëshira e madhe i ka marrë edhe jetën. Mbrëmjen e djeshme, është gjetur trupi i pajetë i një 45-vjeçari, i cili ka ndërruar jetë pak minuta pasi ka takuar të dashurën e tij. Mësohet se viktima është Gjet Gjikolaj nga Rubiku, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë për shkak të stimulantëve që ka përdorur për realizimin e aktit seksual. 

Si ndodhi?
Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 21:00 minuta, në dhomën e një moteli në zonën pranë Qytetit të Nxënësve në kryeqytet, ka gjetur vdekjen 45-vjeçari nga Rubiku, Gjet Gjikolaj. Sipas policisë, 45-vjeçari ka dashur që të kalojë disa orë me të dashurën e tij, por pa e arritur një gjë të tillë, pasi pak minuta pasi janë gjendur vetëm për vetëm në dhomën e hotelit, Gjikolaj ka ndërruar jetë.

Burime nga policia sqarojnë se 45-vjeçari nga Rubiku ka përdorur stimulantë si Viagra, për të realizuar aktin seksual me të dashurën e tij, pa e ditur se pikërisht kjo gjë do t’i shkaktonte vdekjen. Forcat e policisë bëjnë me dije se dyshohet se ka qenë pikërisht përdorimi i stimulantëve ai që i ka sjellë edhe vdekjen Gjikolajt, pasi efekti i tyre nuk e ka lejuar as që të ngjitet deri tek krevati, pasi ai është gjetur i rregullt dhe i paprekur nga e dashura e tij. Kjo e fundit, e ka braktisur të dashurin e saj dhe është larguar më herët nga vendi i ngjarjes.

Viktima është gjetur nga pastruesja në dyshemenë e dhomës së motelit, vetëm me të brendshme. Ndërkohë, bëhet me dije se ka qenë i vështirë edhe identifikimi i viktimës, pasi 45-vjeçari nuk ka pasur mjet identifikimi me vete. Sipas policisë, nga veprimet paraprake hetimore të mjekësisë ligjore, vdekja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e përdorimit të stimulantëve prej Gjikolajt.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të hedhur dritë mbi vdekjen e 45-vjeçarit. Ndërkaq, bëhet me dije se strukturat e policisë po punojnë edhe për të gjetur vajzën që shoqëronte 45-vjeçarin, e cila mund të japë më shumë detaje për dinamikën e ngjarjes. /BW

Lajme të ngjashme

Back to top button