Maqedoni, numri i të pa punëve do të dihet në korrik?

Agjencioni për punësim e Maqedonisë, me ndryshimet e reja të Ligjit për punë, tenton të konstatojë numrin e saktë të personave të pa punë, numër ky i cili pritet të publikohet ka fundi i muajit korrik.

‘Sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit për punësim, personat të cilët aktivisht kërkojnë punë kanë për detyrë që aktivisht çdo 30 ditë të lajmërohen në qendrën përkatëse për punësim dhe të dëshmojnë se ata vazhdimisht kërkojnë punë. Personat të cilët janë futur në regjistrat si persona të tjerë që kërkojnë punë, janë të obliguar që të paraqiten çdo gjashtë muaj’ thotë zëvendës drejtori i Agjencisë për Punësim Samet Shabani.

Në rast se personi i regjistruar si i pa punë aktiv, refuzon dy vende të punës që ia rekomandon Agjencioni, kalon në kategorinë pasiv të regjistrit të pa punëve.

 ‘Në rast se ndodh dy herë me radhë të mos pranojnë ofertën e ndonjë punëdhënësi apo ofertën e Agjencisë së punësimit, atëherë ata transferohen nga kategoria e atyre që kërkojnë punë aktivisht, në kategorinë e atyre që kërkojnë punë në mënyrë pasive. Është me rëndësi te ceket se nuk bëhet largimi i tyre nga evidenca e të pa punëve’ tha Shabani.

Por, çfarë ndodhë me personat të cilët nuk respektojnë afatin e paraqitjes në Agjencinë e Punës?

‘Personat të cilët nuk paraqiten me kohë në qendrat për punësim, ata largohen nga evidenca dhe të drejtën e regjistrimit si të pa punë mund ta rregullojnë pas kalimit të një afati prej periudhës një vjeçare, mirëpo kemi raste ku edhe bëjmë tolerancë për persona që kanë pasur fatkeqësi të ndryshme në familjen e tyre ose janë të sëmurë. Këto raste me ankesë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale i kthejmë përsëri në evidencën e të pa punëve’ precizon Shabani.

Ndryshe, të dhënat zyrtare flasin se Maqedonia me shkallë prej 31.4 për qind të papunësisë gjendet në vendin e 21-të në rang listën prej 199 vendeve në Index Mundi, të dhëna këto të publikuara kah fundi i vitit 2012./PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button