AP: merrni masa kundër maltretimit të fëmijëve

Avokati i Popullit kërkon nga institucionet kompetente që në mënyrë urgjente dhe efektive të marrin masa në lidhje me ngjarjet e fundit në territorin e Shkupit, në të cilat viktima të rrahjes dhe maltretimeve janë fëmijët.

“Në lidhje me ngjarjet e fundit të cilat ndodhën në territorin e qytetit të Shkupit, në të cilat viktima të rrahjeve dhe keqtrajtimeve ishin fëmijët, Avokati i Popullit i shqetësuar seriozisht reagon deri te institucionet kompetente dhe kërkon zbardhjen e të gjitha rasteve në territorin e Shkupit, me qëllim të mbrojtjes së të miturve të sulmuar dhe pengimin e përhapjes eventuale të kësaj dukurie të keqe”, thuhet në kumtesën me shkrim nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Vetëm reagimi i shpejtë i institucioneve kompetente do të kontribuojë në ndalimin dhe pengimin e dhunës së mëtutjeshme mbi fëmijët, me çka do të krijohen kushte për tolerancë midis fëmijëve, të rinjve dhe të popullatës në përgjithësi.

“Sulmet mbi të rinj, por edhe manifestimi i mos durimit mbi baza etnike, çojnë drejt ndarjeve edhe më të thella e që, nga ana tjetër, janë shkatërruese për shoqërinë tonë e cila është multietnike dhe lehtësisht e cenueshme, sidomos sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se një dhunë nxitë dhunën tjetër”, thuhet në kumtesë.
Avokati i Popullit i fton të gjithë faktorët në shoqëri të jenë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë të cilat i bartin dhe të punojnë në pengimin e ngjarjeve të këtilla të dhunshme, me qëllim të edukimit të popullatës së re, e cila do t’i vlerësojë dhe respektojë dallimet./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button