Dajaku ndaj shqiptarëve, rrit rejtingun e partive maqedonase!

Rrahjet dhe dhunimet ndaj shqiptarëve tashmë janë bërë praktikë e vandalëve maqedonas, e sidomos gjatë periudhave kur vendi kalon ndonjë krizë politike, komentojnë analistët Ismail Sinani dhe Qashif Bakiu.

Sinani vlerëson se këto veprime të ulta kanë shërbyer dhe shërbejnë si indikatorë tepër të favorshëm për ruajtjen apo rritjen e rejtingut tek partitë maqedonase.

“Incidentet në fjalë, për fat të keq prej para një muaji i pata paralajmëruar në deklarata të ndryshme. Në fakt, tashmë është botërisht e njohur se në Maqedoni çdoherë kur ka ndonjë krizë më të thellë politike, pushteti, cilido qoftë ai, pra edhe në të kaluarën edhe tani, gjithmonë e kam fjalën për partinë kryesore maqedonase, shfryhet mbi shqiptarët. 
Rrjedhimisht, duket se ka një pakt të heshtur mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për shpalljen e shqiptarëve viktima të çdo procesi në vend. Shembuj më eklatant janë Sopoti, Brodeci dhe Monstra” vlerson Sinani.

Ismail Sinani shprejet se neglizhenca e partive shqiptare ndaj këtyre rasteve ndihmon mbulimin dhe anashkalimin e ngjarjeve të cilat duhet të zbulohen dhe dënohen rreptë nga organet kompetente.

“Por, më e keqja e gjithë kësaj është se partitë politike shqiptare, pra në rastin konkret dy kryesoret BDI dhe PDSH ngase tjerat janë aq të vogla sa që nuk çojnë peshë, asnjëherë nuk kanë arritur ta çmontojnë këtë tendencë të shtetit të shfryrjes mbi kurriz të shqiptarëve, përfshi këtu edhe fëmijët. Duke qenë situata e këtillë, kur de facto shteti gjendet në një ngërç politik, dajaku mbi shqiptarët dhe tensionet ndëretnike, paraqesin terapinë më të mirë për rejtingun e VMRO DPMNE-së dhe natyrisht edhe të LSDM-së” thekson analisti Ismail sinani.

Prof.dr Qashif Bakiu i cili në një prononcim paraprak lidhur më këtë çështje paralajmëroi incidentet në fjalë, thekson se anashkalimi i këtyre ngjarjeve dhe mos marrja e masave nga organet kompetente për të dënuar autorët edhe më tej krijon hapësira për incidente të reja dhe më të rrezikshme.

“Zakonisht para zgjedhjeve u bë praktikë të ketë incidente ndëretnike. Ajo që shqetëson është fakti se pasojat barten nga nxënësit shqiptarë. 20 vjet vazhdon tendenca e njëjtë ndërsa partitë shqiptare dhe strukturat nuk arrijnë ta determinojnë problemin. Thjesht të rinjtë maqedonas të ndikuar nga politika dhe ngjarjet e mëhershme kur organet gjyqësore nuk i dënojnë maqedonasit, kanë marr zemër dhe tashmë pa frikë rrahin dhe terrorizojnë shqiptarët të cilët janë krejtësisht të pa mbrojtur” pëfundon Prof.dr Bakiu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button