Roth: BE t’i mbajë premtimet e saj dhe të fillojë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, mbështet fuqimisht fillimin e negociatave të pranimit midis Maqedonisë dhe Shqipërisë me BE-në. Ai thotë se BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e saj dhe të fillojë bisedimet me të dy vendet sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton Portalb.mk.

“BE duhet t’i mbajë premtimet e saj. Ne duhet t’i rrisim përgjegjësitë tona. Maqedonia dhe Shqipëria kanë dhënë tashmë, kështu që Bashkimi Evropian duhet të japë tani dhe menjëherë. BE-ja duhet të fillojë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Michael Roth përpara takimit të djeshëm të ministrave të çështjeve Evropiane të vendeve anëtare të BE-së.

Ai shtoi se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen në nivel bilateral, jo përmes BE-së.

“Unë shpresoj se çështjet bilaterale mund t’i zgjidhim nivel dypalësh dhe jo të shkohet në nivel të BE-së. Kjo është një përgjegjësi e veçantë e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Bashkimit Evropian dhe Gjermania është përkushtuar të japë. Është koha për atë, shpresoj të kemi një debat të mirë dhe konstruktiv”.

Përndryshe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja i kanë përmbushur kushtet dhe kanë marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button