(Foto) Struganët nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit!

Në rrugët e qytetit të Strugës, çdo ditë e më shumë po merr përmasa të mëdha kaosi i krijuar në komunikacion i cili ndodh kryesisht si pasojë e mos respektimit të shenjave të komunikacionit nga qytetarët por edhe nga toleranca e organeve kompetente ndaj shkelësve të ligjit.

Qendra e qytetit të Strugës tashmë ngjason me një rrugicë të ndonjë lagjeje të mbipopulluar dhe jo me një qendër të një qyteti turistik.

Qytetarët e veçanërisht këmbësorët shprehen tepër të revoltuar për këtë situatë, ata theksojnë se ky fenomen çdo ditë e më shumë bëhet i pa përballueshëm.

“Kjo është pasqyra e vërtetë e kulturës qytetare, pa përgjegjësi e madhe gjatë vozitjes dhe gjatë parkimit. Nuk e di si mund të jenë njerëzit kaq të pandërgjegjshëm dhe të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, sinqerisht ky haos është për turp” thotë I. Veseli nga Struga.

“Qytet turistik, pa parkingje, pa vetëdije qytetare, pa rrugë, pa rrugë për biçikleta, skandaloze! Shikoni si është qendra e qytetit tonë, nuk ka asnjë ulëse, trotuaret janë uzurpuar nga barakat dhe veturat e njerëzve të papërgjegjshëm. Secili e parkon makinën aty ku e pinë kafen. Unë nuk besoj se këto janë vlera evropiane, ndërsa tek ne këto gjeste i bëjnë edhe gurbetçarët tanë të Evropës”, shprehet K.L nga Struga.

“Nuk ka shtet, nuk ka ligj, nuk funksionon policia ose është e pavlerë. Një qytet me dy rrugica nuk mund të mbahet nën kontroll dhe të mbizotërojë rendi, kjo nuk është e mundur. Më vjen shumë keq për ne” shprehet i revoltuar B.Z nga Struga.

Rendi dhe rregullshmëria në komunikacion, tashmë një kohë të gjatë është shqetësim për struganët, ndërsa organet kompetente edhe pse disa herë kanë marrë aksione për zgjidhjen e situatës, asnjëherë nuk kanë pasur efekt afatgjatë lidhur me këtë problematikë . /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button