Strugë, kapet hajduti i telefonave celularë

Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër, për shkak të dyshimeve të bazuara për  kryerjen e veprave penale “vjedhje”, ka ngritur kallëzim penal kundër E.M. (36) nga Radovishi. Kallëzim të njëjtë është ngritur edhe kundër K.Z. nga Struga, për shkak të veprës penale “fshehje e veprës së kryer penale”.

Vjedhjet i akuzuari E.M i ka kryer gjatë fundit të muajit të kaluar dhe fillimit të këtij muaji, kur në një nga ambulancat  dhe në disa objekte tjera në Ohër ka vjedhur telefona celular, para dhe mjete tjera të vlefshme, duke përfituar materialisht në lartësi afro 100 mijë denarë, transmeton Strugalajm.

Më 25 janar, ndërmjet orës 11 dhe 11.30, personi i akuzuar E.M. ka hyrë në ambulancën e sëmundjeve të brendshme, dhe duke shfrytëzuar mospraninë e personelit, ai ka vjedhur një telefon celular “iPhone”. Disa ditë më parë, ai ka vjedhur tre telefona celular në objektin hotelierik “Bonimi”, ku ka vërejtur një çantë të lënë në tavolinë dhe duke shfrytëzuar pakujdesinë e pronares, ai ka vjedhë një celular “iPhone” dhe dy celular të tjerë “Nokia”.

Po ashtu, ai ka vjedhur kuletën me 9.500 denarë dhe kartelat bankare së bashku e dokumente tjera të një qytetari nga Ohri. Nga një qytetare e Ohrit ai dhunshëm i ka marrë një zinxhirë floriri, e vepra të tjera.

Personit E.M. nga Radovishi, i përshkruhen edhe vepra të tjera penale, prandaj SPB në Ohër, ka ngritur kallëzim penal. Përndryshe, sipas SPB-së në Ohër, kundër E. M është lëshuar fletëarrest nga SPB në Strumicë. Pas kapjes së E.M. nga pjesëtarët e policisë, ai është dërguar në Entin ndëshkimoro-përmirësues (burg) të Strumicës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button