UEJL dhe USHT të gatshme t’i dënojnë profesorët plagjiaturistë

Dy universitetet në Maqedoni, ai i Evropës Juglindore dhe Universiteti shtetëror i Tetovës janë të gatshme për të ndërmarrë masat adekuate për t’i dënuar profesorët të cilët kanë bërë plagjiaturë. Deklaratat e tilla erdhën një ditë pasi që zëvendës ministri për arsim, Safet Neziri bëri të ditur për Portalb se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk do të ndërmerr asgjë në lidhje me rastet e plagjiaturës në mesin e punimeve të doktoratës por se MASH-i do ti dërgon rezultatet deri te universitetet dhe më tej ata të ndërmarrin masa.

Zëdhënësi i UEJL, Demush Bajrami thotë se ende nuk kanë njoftim nga MASH-i për rastin në fjalë por se në UEJL kanë themeluar me kohë komisionin kundër plagjiaturës duke mos lejuar porozitet në mundin kërkimor dhe shkencor.

“Nga MASH-i ende nuk kemi njoftim për sa i përket gjetjeve të fundit që i ka kjo ministri dhe rekomandimeve nga e njëjta. Por ne jemi të gatshëm dhe me kohë me anë të këtij komisioni ndjekim pandershmëritë akademike. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rast por nëse hasim do të veprojmë në përputhje me ligjin për plagjiaturë dhe do të ndërmarrim masa ndaj atyre që  kanë bërë shkeljen e kësaj natyre” tha për Portalb zëdhënësi i UEJL, Demush Bajrami.

Ai thekson se plagjiatura medoemos duhet të ndëshkohet sepse jo vetëm që kërcënon predispozitat ligjore të autorësisë dhe pronësisë intelektuale por njëherë sjell edhe shumë dëm duke minuar dhe rrënuar themelet e shkencës.
 
Zëdhënësi i USHT-së, Selam Sulejmani tha se MASH-i ka vendosur kontakte me këtë universitet dhe se janë në fazën e shqyrtimit të fenomenit.

“Ministria e Arsimit ka vendosur kontakte me ne dhe na ka njoftuar me çështjen e plagjiaturave, jemi në fazën e shqyrtimit të këtij fenomeni të papritur. Nëse eventualisht paraqitet ndonjë rast i kësaj natyre për këtë fenomen shoqëror ne do të formojmë komisione përkatëse dhe do ta luftojmë këtë fenomen. Ne do ti marrim masat përkatëse ashtu si që e parashikon ligji për ndëshkimin e këtij fenomeni”  tha Sulejmani.

Ditë më parë u bë e ditur se MASH-i përmes një softueri kompjuterik kishte zbuluar rreth 290 punime të doktoraturës të cilat janë vlerësuar si plagjiaturë. Mes tyre, thuhet se 100 janë të profesorëve shqiptarë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button