A do të zhbllokojnë europianët ngërçin politik?

Ditët në vijim, parashikohen vizita të figurave eminente nga sfera politike evropiane. Përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së, si euro-deputetë dhe komisioneri për zgjerim, Shtefan Fyle, si dhe drejtori për zgjerim i KE-së Stefano Sanino, do të zhvillojnë takime me politikanët vendas. Sipas ekspertëve dhe analistëve politik, ekzistojnë mundësi reale që takimet e tilla, jo vetëm të jenë në suaza të intervenimeve diplomatike europiane, por edhe të zgjidhin ngërçin politik në vend. Analisti Bashkim Bakiu, shprehet optimist për një opsion të këtillë. 

“Mendoj se pas ngjarjeve të 24 dhjetorit, janë të dukshme qëndrimet e pozitës dhe opozitës Maqedonase, pastaj edhe tentimi i parë për të debllokuar ngërçin nuk arriti sukses. Që ishte e pritshme sepse, nuk ndodhi asgjë tjetër veç se qëndrimet publike i dhanë në masë ku dhe u mbajt takimi i dy liderëve. Që tani më është shumë e kuptueshme se pa mediacion ndërkombëtar nuk do të ketë zgjidhje. Mendimi im është se kjo javë do të jetë javë e presioneve të faktorit ndërkombëtar ndaj lidershipit maqedonas,ose mund ta komentojmë si javë e zgjidhjes së ngërçit politik ose thënë thjesht do të ketë ndonjë marrëveshje me çka edhe do te debllokohet kriza. Ose në të kundërtën mund të ketë ndonjë marrëveshje të fshehtë, e cila për momentin nuk do të jetë publike, megjithatë do ti shuaj egon e dy liderëve maqedonas”, deklaroi Bashkim Bakiu nga Instituti për Hulumtime Politike dhe Qeverisje të Mirë.

Me vlerësime të ngjashme del edhe profesori Qashif Bakiu. Ai është i mendimit se faktori i jashtëm do të bën përpjekje për të ç’bllokuar dialogun. Megjithatë, vlerëson ai, ekziston një dozë skepticizmi sa i përket gatishmërisë së kryeministrit Gruevski për të bërë kompromis në këtë aspekt. 

“Në Maqedoni u thye parimi themelor i demokracisë dhe detyrimisht është e nevojshme ndërhyrje nga faktori i jashtëm. Besoj se vizitat nga autoritetet e ndryshme të BE-së ndoshta do të japin një impuls në hapjen e dialogut për dalje nga kjo situatë. Megjithatë jam skeptik se do të ketë ndonjë zgjidhje nga vetë fakti se kryeministri Gruevski nuk është figurë që bën kompromise, ndërsa dallimet në mes palëve janë shumë të mëdha”, tha Bakiu për Portalb. 

Por, jo të gjithë analistët i qasen problematikës me optimizmin e njëjtë. Lidija Dimova, nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian, është e mendimit se kjo nuk do të sjell asnjë ndryshim. Përgjegjësinë kryesore i’a atribuon qeverisë dhe kryeministrit. 

“Mendimi im është se kjo nuk do të bën kurrfarë ndryshimi. Pse? Sepse lëvizjen kryesore duhet ta bëjnë kryeministri dhe koalicioni qeverisës. Ajo në Evropë quhet dialog politik, me ç’rast lëvizjet kryesore i bën Qeveria, e cila dëshmon pjekurinë e saj. Deputetët evropianë mund të ndihmojnë, por vetëm në masë të caktuar. Problemi ynë nuk është opozita, por Qeveria dhe përderisa evropianë zgjidhin problem të gabuara, ne do të kemi zgjidhje të gabuara”, u shpreh për Portalb Dimova. 

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, deputetja nga rradhët e socialdemokratëve, Radmilla Shekerinska, në një emision ka bërë të ditur se fronti opozitar mund të merr pjesë në Kuvend vetëm me qëllim të formimit të Komisionit Anketues për ngjarjet e 24 dhjetorit. Megjithatë, ka theksuar ajo, LSDM nuk janë të gatshëm për lëshime tjera dhe insistojnë për zgjedhje të parakohshme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button