Urime!

Refet Abazi
Shkruan Refet Abazi

“Urime” është një shprehje kurtuazie që e themi, apo na e thonë për një punë apo vepër të bërë mirë. Por, ka raste kur këtë “Urime” nuk e thua, sepse ata të cilëve do duhej t’ua  thuash , ta marrin vet. Edhe atë, ta marrin pa të pyetur, me punën e tyre. Kështu më ndodhi mbrëmë në Gostivar në shfaqjen “VES VES- e” sipas tekstit të Laurent Baffie dhe në regji të Kushtrim Bekteshit. Është një gëzim që mund të krahasohet vetëm me gëzimin fëmijëror kur këtë “Urime” nuk ke nevojë ta thuash, pasi aktorët dhe regjisori, ta marrin duke i përqafuar. Sepse, në fytyrën time e lexuan atë “urime” sikur të ishte e stampuar me shenja ndriçuese. Vetëm Berati, si zakonisht pak me mëdyshje më pyeti dy herë për atë që ishte stampuar në fytyrën time, sikur nuk u besonte syve edhe pse e lexonte qartë. Nejse, me Beratin e kemi një raport të tillë që në orën e parë kur filloi studimet në UT. Dhe kur e pash në skenë, thash me vete; “ouo sa qenka rritur” dhe vazhdova “për mashalla”, ashtu siç zakonisht shprehen prindërit për fëmijët e tyre.

Kur kësisoj mendime të vinë në kokë deri sa je në sallë të ftohtë dhe përballë ke aktorë të rinj, pasi teatri i Gostivarit e ka këtë privilegj të ketë aktorë të rinj, do të thotë se ajo që ata e bëjnë në skenë, komunikon fuqishëm me publikun. Dhe vërtetë, ashtu ishte. Një shfaqje e vogël në përmasat fizike, por një gdhendje shumë e mirë nga brenda e aktorëve. Është një tekst që unë e njoh mirë, pasi e kam punuar me studentët dhe komunikimi im ishte shumë intensiv me veprimin skenik. Qasja e Kushtrimit, para së gjithash është shumë e guximshme, sepse me një ansambël relativisht me  të rinj, të bësh shfaqje pa efekte; dekori, ndriçimi, muzike apo edhe “kerefeke/truqe regjisoriale” , gjithçka ta mbështesësh te aktorët, është vërtetë guxim. Por, si duket, guximi i Kushtrimit ka qenë i arsyetuar mirë, pasi e ka ditur çka bën. Dhe duke pasur parasysh se ansamblit të Gostivarit i duhet punë që profilon energjinë e aktorëve për t’u bërë vërtetë ansambël, ai ka vendosur që këtë ta bëj edhe misionin e tij, që në fakt rezulton se puna e tij regjisoriale është pikërisht gjenerimi i energjisë skenike të një ansambli që gjatë kohë luajnë bashkë. Dhe ka bërë punë shumë të mirë!

Edhe pse personazhet janë të gjithë me VESE ,  e natyrshme do ishte që aktorët të veprojnë secili më vete (solo),por  Kushtrimi i ka motivuar që ata të luajnë për partnerin, jo për vete. Dhe kjo ndodh shumë natyrshëm, pasi edhe partneri bën të njëjtën gjë. Pra, duke luajtur për partnerin e jo për vete, aktori është rehat në skenë, sepse është partneri ai që kujdeset për të. Kuptohet,  kjo është reciproke. Disa poetë në një mënyrë të ngjashme mundohet ta shpjegojnë dashurinë. Nejse, të fokusohemi te shfaqja!

Ky altruizëm (të kujdesem për tjetrin, jo për veten) mes aktorëve e udhëheq shfaqjen deri tek altruizmi final, kur vet personazhet e kuptojnë se altruizmi është katarsisi, apo shërimi i tyre.  Kjo lexohet që në paraqitjen e çiftit të parë në skenë mes Dritonit dhe Beratit dhe vazhdon deri sa paraqiten me radhë:  Kujtimja, Ajshja, Afrodita, Arijani dhe Elizabeta. E që pastaj fillon loja aktoreske që me kënaqësi e quajmë loja e përbashkët e ansamblit.

Personazhet në skenë me “vesveset” e tyre na bëjnë të bashkë-ndjejmë me ta, dhe pa hetuar, fillojmë të rrëmojmë  brenda vetes tonë për vesvese të ngjashme, të cilat nuk kemi guxim t’i shpërfaqim, apo edhe të flasim për to. Unë u nisa nga vetja dhe pastaj, nga mënyra e reagimit të shikuesve e ndjeja se (si i thonë fjalës) kujt ku dhe çka i dhemb. Kështu u krijua një terapi në grup e pa deklaruar, por që pati efekt të madh tek të gjithë në fund të shfaqjes dhe që lexohej në fytyrat e të gjithëve që ishim në sallën e ftohtë.

Personazhet me vesveset e tyre në disa situata, sa për të na kujtuar se çfarë kohë jetojmë,  mu dukën si debatet televizive. Në të cilat debate “fjala e lirë” është viktima kryesore, sepse në emër të saj “gjithologjia” është bërë aftësia supreme. Por, me një dallim thelbësor, personazhet që kishim para nesh, pra në skenë, që në fillim deklaroheshin se janë me diagnozë (VES VES), dhe askush nuk e merr përsipër rolin e të gjithditurit apo shitësit të mjegullës.

Zakonisht, thuhet se në skenë, sa i përket mizanskenës edhe kaosi më i madh duhet të jetë i organizuar. Dhe zakonisht, organizimin e bën regjisori duke i ideuar, apo vizatuar (në mendjen e tij) vijat e mizanskenës. Në këtë shfaqje, mizanskena ishte aq natyrshëm e motivuar nga aktorët, sa që kisha përshtypjen që Kushtrimi vetëm i ka provokuar aktorët në fazën e mizanskenës dhe ka pritur që ata te reagojnë. Dhe kështu ka ardhur tek ajo që zakonisht thuhet, e që unë e  kam përmendur për shfaqjen “Duet për Një”; regjia më e mirë, është kur regjia nuk shihet në shfaqje.

Përveç ansamblit në “VES VES-es”,  Kushtrimi ka pasur bashkëpunëtorë të mrekullueshëm edhe në skenografi edhe në kostumografi. Për herë të parë e shoh punën e skenografes Merima Tutiç dhe kostumografes Emira Ymeri dhe të dyja me punën e bërë, pa më pyetur ma stampuan në fytyrë shprehjen “Urime”, gjë që më bën të pres punën (veprat) e tyre të ardhshme, sepse ansambli i ri i aktorëve ka nevojë për krijues të tillë.

Teatri i Gostivarit e ka shfrytëzuar mundësinë dhe me krijues të rinj ka krijuar ansambël të mirëfilltë. Uroj që kjo qasje e kultivimit të energjisë krijuese të vazhdoj edhe me konsolidimin e ansamblit që do krijohet në teatrin (e ri) për fëmijë dhe të rinj në Shkup. Kjo vetëm se e konsolidon edhe sistemin e vlerave të kulturës teatrore shqiptare tek ne. Që do të thotë se, ansamblet e teatrove, tanimë të etabluara tek ne, do të ndjejnë nevojën të shkundet pak, sepse konkurrenca në cilësi e kreativitet imponon domosdoshmërinë e arsyetimit të statusit aktor në skenë, e jo vetëm të qenit në listën  e rrogës.

Teatri i Gostivarit është në rrugë të drejtë, me këtë përkushtim ata së shpejti do bëhen ansambël atraktiv për çdo regjisor, një diçka që tashmë ka ndodhur me ansamblin e Teatrit Migjeni në Shkodër. Unë për këtë, vetëm edhe një herë mund të them – URIME!

 

“VES VES”

Autor: Laurent Baffie

Regjisor: Kushtrim Bekteshi

Skenografe: Merima Tutiç

Kostumografe: Emira Ymeri

Ass. regjisor: Gent Çajani

Luajnë (sipas paraqitjes në skenë):

Driton Lazami

Berat Mahmuti

Kujtime Ahmeti

Ajshe Useini

Afrodita Xhaferi

Arijan Ejupi

Elizabeta Klinçarevska-Mladenovska

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button