KE: Të zbardhet e vërteta e 21 janarit, përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Shqipëria duhet të garantojë që personat përgjegjës për veprimet e dhunshme të 21 janarit 2011 të dalin para drejtësisë dhe e gjithë e vërteta të zbardhet. 

Kështu deklaroi në një reagim ekskluziv për News 24 komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europes Nils Muižnieks. I pyetur nga gazetarja Erjona Rusi pas vendimit të gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e tre nga 4 demonstruesit që humbën jetën në protestën e 21 janarit 2011, komisioneri Muižnieks u përgjigj se nuk mund të komentojë vendimin e gjykatës. “Por dua të theksoj se pandëshkueshmëria për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nuk është e pranueshme”-shprehet Muižnieks. 

Komisioneri për të drejtat e njeriut shton se do të vazhdojë ta ndjeke këtë çështje dhe ta ngrejë në dialogun e tij me autoritetet shqiptare. Në dy vjetorin e ngjarjeve të 21 janarit, komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës i bëri thirrje qeverisë shqiptare për një hetim të pavarur dhe të besueshëm si një proces të rregullt gjyqësor duke shprehur shqetësim që disa personat përgjegjës për këto akte të dhunshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut, nuk kanë dhënë ende llogari para drejtësisë. 

“Nxis qeverinë shqiptare të vijojë me përfundimin a një hetimi tërësor, të paanshëm dhe të besueshëm dhe një proces të rregullt gjyqësor, për të dhënë kësisoj një sinjal të qartë që pandëshkueshmëria për shkeljet serioze të të drejtave e njeriut është e papranueshme”-thuhej në reagimin e bërë nga komisioneri në 21 janar të këtij viti. /Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button