Kërçovë, Qeveria dhe prindërit të reagojnë dhe ndalojë dhunën e nxënësve

Civil – Qendra për Liri, Forumi Servisi Paqesor Qytetar dhe Qendra për Zhvillimin e Bashkësisë – Kërçovë apelojnë te Qeveria dhe të gjitha institucionet relevante në nivel lokal dhe kombëtar që të ndërmarrin hapa të menjëhershme për parandalimin e dhunës brenda dhe jashtë shkollave në komunën e Kërçovës në tërë vendin.

Besojmë se pridërit kanë rolin kyç për zvogëlimin e tensioneve në rajonin  e Kërçovës dhe për ta rikthyer frymën e koekzistencës paqesore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Apelojmë te prindërit dhe palët tjera të involvuara në nivel lokal, politikanët dhe komuniteti civil në Kërçovë, që të pengojnë që incidentet e tashme të dhunshme të shkallëzojnë dhe të rriten në konflikte etnikisht të motivuara.

Apelojmë te udhëheqësia e shkollës dhe kuadri arsimor që të ndërmarrin iniciativa me hapjen e mundësive për shprehje kreative të të rinjve dhe në këtë mënyrë të tejkalohen jotoleranca, shovinizmi dhe dhuna. Kjo duhet bërë urgjentisht, me qëllim që të pengohet urrejtja etnike gjatë mësimit, por edhe pas orëve.

Shkollat luajnë rol të rëndësishëm në integrimin e shoqërisë dhe njohjen dhe respektimin e ndërsjellë për bashkësitë e ndryshme etnike në vend. Praktikat e tashme në sistemin arsimor në vend duhet patjetër të ndryshojnë në këtë drejtim, sepse në formën e tashme kultivojnë dezintegrim.

Ekzistojnë mënyra të panumërta dhe shembuj të mirë për t’u krijuar besimi i ndërsjellë, për t’u promovuar miqësia dhe për t’u pranuar dallimet si virtyt, e jo si mallkim. Shoqëria civile dhe institucionet shtetërore duhet t’i bashkojnë përpjekjet për të krijuar kushte për këtë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button