Nxënësit e komunës së Sarajit pas dy vitesh me shkollë të mesme

Nxënësit e shkollave fillore në rajonin e komunës së Sarajit, në të ardhmen do të kenë mundësi që edhe shkollimin e mesëm ta ndjekin në komunën e tyre.

Sot në komunën e Sarajit u shënua vendi i shkollës së mesme, ndërtimi i të cilës pritet të përfundojë për 2 vjet.

“Ky projekt ka qenë pjesë e projekteve të Qeverisë që komuna e Sarajit të ketë infrastrukturë për shkollë të mesme edhe atë për shumë arsye, për interes ekonomik, për shkak të kohës, largësisë, pasi ka kuadër. Komunës së Sarajit i takon të urbanizohet  pasi ka pozitën më të mirë gjeografike nga komunat në qytet”- tha zv.kryeministri i Qeverisë Musa Xhaferi.

Sipas Ministrit të Arsimit Pançe Kralev, nëse punët shkojnë sipas dinamikës së paraparë, punimet pritet të përfundojnë për 2 vjet. 

“Shkolla do të kap sipërfaqe rreth 2.500 metra katrorë dhe aty do të mund të mësojnë për drejtimet gjimnaz dhe drejtime të cilat do të jenë të kërkuara nga komuna, bashkësia e biznesit dhe qyteti I Shkupit. Me këtë besojë se  kemi realizuar kërkesën dhe nevojën e kahmotshme të komunës dhe më gjërë që të kenë shkollë të mesme personale me qëllim që të tejkalohen nevojat e përditshme për të udhëtuar çdo ditë në shkollat e mesme më të afërta. Në bazë të dinamikës së paraparë për ndërtim dhe kushtet për tender, shkolla e mesme duhet të përfundojë brenda 2 viteve”- tha ministri Kralev.

“Ndërtimi i Shkollës së mesme ka qenë nevojë e kohës, pasi që me atë që shkollimi i mesëm u bë i obligueshëm me ligj, ne si Komunë dhe Këshilli, ju përgjigjëm pozitivisht. Fillimisht nisma u paraqit nga veteranët e arsimit, por ne e vlerësuam lartë dhe domosdoshmëri, dhe besojmë se për afat të caktuar me ligj do të ndërtohet edhe objekti i shkollës. Nga, Komuna e sarajit shkollimin e mesëm e vazhdojnë rreth 650 nxënës, objekti i cili do të ndërtohet besojmë se do ti kënaqe këto nevoja”, tha kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati. 

Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski premtoi se shkollën me inventarë dhe paisje tjera do ta realizojë Komuna e Qytetit.
Sipas Musa Xhaferit pritet që edhe komunat e tjera rurale si Haracina me  vendbanimin Hasanbeg, komuna Studenican të fitojnë shkolla të mesme edhe në teritorin e tyre. 

Lajme të ngjashme

Back to top button