Bastri Bajrami zyrtarizoi kandidaturën e pavarur për Haraçinën

Kryetari aktual i komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami, zyrtarizoi kandidaturën e pavarur sot para banorëve të kësaj komune. 

“Ashtu sikur para katër vitesh kur fitova besimin e qytetarëve, edhe në mandatin e ardhshëm, në qendër të çdo vendimi të Komunës dhe Këshillit do të jetë interesi i qytetarit. Këtë e kemi dëshmuar me gjithë ato projekte që sot preken dhe shihen nga të gjithë” tha Bajrami.

Ai numëroi projektet e realizuara deri më tani.

“Rregullimi i rrugëve dhe trotuareve, ndriçimi i vendbanimeve në tërë Komunën, sigurimi i transportit për nxënësit e fshatrave Grushinë, Orllancë dhe Mojancë, rregullimi i gypave të ujit, realizuam mbi 20 fushata senzibilizuese, duke filluar nga fushatat arsimore, ekologjike, kulturore e sportive, rregullimi i kanaleve atmosferike, ndërtuam dhe rekonstruam shkolla, ndërtuam terrene sportive…” këto janë vetëm disa nga projektet që për katër vite ndryshuan Komunën për të mirë tha Bajrami.

Ai gjithashtu theksoi se në mandatin e ardhshëm nëse rizgjedhet për kryetar do të realizojë edhe disa projekte madhore për qytetarët e Komunës së Haraçinës.

“Qëllimi dhe synimi ynë kryesor për mandatin e ardhshëm është zgjerimi i territorit të Komunës, si dhe sigurimi i ujit të pijshëm për Haraçinën. Projekti për ujin tashmë gjendet në institucionet qendrore dhe shumë shpejt, në fillim të prilli pritet të fillojnë punimet. Punimet në këtë kohë do të fillojnë edhe për ndërtimin e shkollës së mesme, pasi projekti final tashmë është pranuar nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që hapësira e kësaj shkolle do të përfshijë mbi 10 mijë metra katrorë. Edhe objekti i ri i Komunës ka marrë dritë jeshile nga institucionet përkatëse. Dhe jo vetëm objekti komunal, por edhe Njësite rajonale të disa ministrive do të jenë në objektin e Komunës, duke përfshirë këtu Kadastrën, një institucion ky shumë i nevojshëm për banorët e Komunës, pastaj do të funksionojë edhe zyra e bujqësisë, zyra sociale dhe të tjera” tha Bajrami.

Ai përmendi një sërë projektesh të tjera si: r asfaltimi i rrugës Hasanbeg-Haraçinë-Likovës, hapjen e çerdhes për fëmijë, kërkesa e së cilës është dorëzuar.

“Kemi dorëzuar edhe kërkesë që në Haraçinë të hapet edhe Zona industriale, ndërkohë që presim edhe shumë investime nga kompani të huaja, që Haraçinën e shohin si një vend të sigurt për biznes, ndryshe nga siç ishte parë para disa vitesh”, tha Bajrami.

Lajme të ngjashme

Back to top button