Inteligjenca Artificiale (AI) dhe vendet e punës

Inteligjenca Artificiale (AI) përmendet apo njihet shumë pak nga njerëzit – për të mos thënë fare. Pavarësisht nga mungesa e njohurisë për të, AI është një teknologji që po transformon çdo ecuri të jetës. Ajo tashmë po ndryshon botën dhe po ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë, ekonominë dhe qeverisjen.

Edhe pse fanta-shkenca shpesh portretizon AI si robotë me karakteristika të ngjashme me njeriun, ajo tashme është aplikuar gjithandej duke nisur nga SIRI i Apple (iPhone-i), njohës i fytyrave – face recognition (psh. në fotot e Facebook), njohës i zërit – voice recognition (psh.Alexa), algoritmet e kërkimit të Google apo produktet si: dronet, fshesa elektrike robotike që tashmë po ofron tregu deri tek veturat self-driving – që ecin, drejtohen vet, etj .

Inteligjenca artificiale ose më thjeshtë – AI, është një term i përgjithshëm për aftësinë e makinës për të imituar sjelljen inteligjente të njeriut përmes automatizimit të llojeve të ndryshme të detyrave. Këto makina apo sisteme softuerësh marrin vendime që normalisht kërkojnë nivel njerëzor ekspertize dhe i ndihmojnë njerëzit të parashikojnë problemet ose të merren me to kur paraqiten. Si të tilla, ato veprojnë në mënyrë të qëllimshme, inteligjente dhe adaptive.

Konsiderohet si teknologjia më e rëndësishme e shekullit 21 me potencial të transformojë mënyrën e funksionimit të bizneseve dhe industrive dhe jo vetëm, ashtu siç bëri elektriciteti në fund të shekullit të 20-të . Big data analizat që shpesh lidhen me AI, po ndikojnë dukshëm në vendimmarrjet e ndryshme, pasi sasi masive të mëdha të të dhënave analizohen në kohë reale – duke ju dhënë liderëve apo ekspertëve nga lëmi të ndryshme, një nivel analize dhe produktivitetit të paparë deri më tani. Po ashtu, u mundëson atyre të ri-mendojnë rreth asaj se si i integrojmë informacionet, analizojmë të dhënat dhe përdorim njohuritë për të përmirësuar vendimmarrjen.

Photo by Possessed Photography on Unsplash

Potenciali më i madh i AI qëndron pikërisht në zëvendësimin e proceseve apo llojeve të ndryshme të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përpunimi apo klasifikimin e sasive të mëdha të të dhënave  si dhe detyrave rutine dhe të përsëritura që kryhet pa pushim. Pra lloje punësh të cilat nuk kërkojnë gjykim njerëzor. Me shumë gjasë, pjesët rutinë të punëve do të automatizohen . Kjo do i liron njerëzit nga detyrat e përsëritura në mënyrë që të fokusohen në kryerjen e punëve tjera më me rëndësi, që sistemet e AI nuk janë në gjendje ti zëvendësojnë. Bëhet fjalë për detyra specifike të paparashikueshme, që kërkojnë përvojë, gjykim dhe empati njerëzore.

Azhurnimet apo update-imet e softuerit kompjuterik të konfiguruara të bëhen automatikisht, pa i startuar njeriu janë një ilustrim i mirë i përfitimit nga AI. Apo aplikacione të ndryshme që kryejnë shumë funksione si p.sh Spotify – aplikacioni i muzikës që bën klasifikimin e miliona këngëve, krijimin e playlistave të personalizuara, etj pa qenë nevoja që ta kërkon njeriu këtë.

Duke qenë së Inteligjenca artificiale do të përshpejtojë dhe automatizojë shumë procese, aktivitete, kjo ka hapur dilema dhe debate te ndryshme.

Shumë aftësi dhe detyra që mund të përcaktohet në mënyrë holistike nga algoritmet, me kohë mund dhe do të automatizohen. Kjo vë në pikëpyetje nevojën e disa vendeve të punës. Disa shembuj të këtyre profesioneve janë: operatorët e futjes së të dhënave, përkthyesit, nënshkruesit e kredive dhe siguracioneve,  qendrat për mbështetje të klientëve. Këto lloje detyrash kanë kosto të lartë prandaj shpesh bizneset mendojnë se koha, përpjekja, energjia dhe kostot nuk janë gjithmonë të justifikueshme për investimin. Këto janë rastet e ndërhyrjes së inteligjencës artificiale dhe automatizimit.

Por nga ana tjetër, AI ka nxitur frikën dhe shqetësim te punonjësit e këtyre sektorëve se do humbin punën. Statistikat e fundit tregojnë qartë se AI do zëvendësojë prekjen dhe punën njerëzore sidomos në rastet e ndërveprimit të drejtpërdrejtë me konsumatorët – p.sh Call qendrat. Parashikohet që afro 85% e shërbimeve të tilla do zëvendësohen nga AI

Përveç kësaj, janë prezente edhe dilemat etike dhe morale. Ekziston frika që Inteligjenca Artificiale mund të dëmton njerëzimin dhe kjo ka shqetësuar ekspertët e fushave të ndryshme.

Përparimet e fundit në AI kanë lejuar makinat e tilla të modelojnë dhe imitojnë tipare të ndjeshmërisë njerëzor. A e bën kjo praktikisht të pakuptimtë dallimin midis Inteligjencës artificiale dhe asaj njerëzore? Për shembull, nëse AI mund të krijojë një vepër identike si e Picassos, a e bën kjo makinën një artist?

Kur makinat bëhen shumë inteligjente, njerëzit potencialisht mund të humbin aftësinë për t’i kontrolluar ato. Disa nga mendjet më të ndritura të botës si Elon Musk apo Stephen Hawking, tashmë janë shprehur që AI mund të shënojë fundin e njerëzimit.

Por pavarësisht kësaj, AI ësht një realitet që po ndodh dhe penetrimi i saj është në rritje. Prandaj pranimi dhe adaptimi me të është i domosdoshëm sidomos në botën e biznesit. Rezistenca ndaj saj që shpesh haset te njerëzit e biznesit, rrezikon mbijetesën e kompanive në treg. Mosnjohja e saj, frika nga humbja e vendeve të punës dhe pasoja të tjera negative sociale, siç është humbja e privatësisë, mund të jenë disa nga arsyet.

Siç e shihni, bota është në prag të revolucionarizimit të shumë sektorëve përmes inteligjencës artificiale. Prandaj mënyra se si zhvillohen sistemet AI duhet të kuptohet mirë për shkak të implikimeve që këto teknologji do të kenë për shoqërinë në tërësi.

Autore: Natyra Dika Kërluku

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button