Ekspertët: Ardhmëria demokratike e Maqedonisë në rrezik

I qartë është mesazhi i evropianëve në lidhje me perspektivën e Maqedonisë dhe proceset demokratike në vend. Dy ditë pas shpalljes së propozim rezolutës të cilën një numër i madh i parlamentarëve të Këshillit Evropian e dërguan deri te Asambleja e Këshillit Evropian, edhe ekspertët vendas dalin me vlerësime të tilla. Lidija Dimova, nga Qendra Maqedonase për Trajnime Europiane, është e mendimit se me këtë vetëm theksohet pozita e rëndë e  Maqedonisë dhe mospërfillja e proceseve demokratike. 

“Mesazhi është i qartë! Proceset demokratike janë të rrezikuara. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse nuk bëhet fjalë për eurointegrime të shtetit (në lidhje me të cilat, ende nuk jemi pjesëtarë të BE), por për qëndrim të një organizate ku Maqedonia bën pjesë që moti”, deklaroi Dimova për PortAlb. 

Sipas saj, të gjitha këto vlerësime, do të reflektohen në raporte me vlerë kruciale për integrimet e mëtutjeshme të Maqedonisë në strukturat evropiane. Ajo thekson se është e mundshme që komentet e tilla të përfundojnë edhe në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë. 

“Konsekuencat e raporteve të tilla, do ti ndiejmë në të ardhmen. Gjasat janë që ato të reflektohen edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian, ndërsa pres që të jenë pjesë edhe të raportit të Komisionit Evropian. Për fat të keq, të gjithë janë të shqetësuar, përveç atyre që duhet”, shprehet Dimova. 

Propozim rezoluta e parlamentarëve evropian, nuk është e vetmja që në këtë frymë vlerëson zhvillimet në Maqedoni. Ditë më parë, edhe ambasadori Irlandez, Oliver Grogan, gjatë takimit me përfaqësuesit qeveritar, bëri të ditur se kriza politike në vend po kërcënon integrimet evropiane. Ai gjatë takimit me zv/kryeministren Teuta Arifi dhe ministrin e Jashtëm, Nikolla Poposki, përveç krizës politike, potencoi edhe raportet me shtetet fqinje dhe zgjedhjen e çështjes së emrit.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button