Konteksti historik i Maqedonisë së Veriut – një barrierë e fuqishme për të ardhmen evropiane të vendit  

Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e saj vitin e kaluar për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje me Greqinë e cila kishte bllokuar dhe e kishte mbajtur  status-quo-n  në aspekt te progresit politik dhe ekonomik për vite me radhë por tani ajo përballet me kundërshtimin nga Bullgaria rreth interpretimit të historisë së përbashkët. Përpjekjet institucionale për të arritur një produkt final i cili do ta shpinte Maqedoninë e Veriut në një pozitë më të volitshme ndërkombëtare dhe për të përfituar një unanimitet të plotë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian nuk rezultuan të mjaftueshme .

Vetoja bullgare bllokoi diskutimet  në nivel të ministrave të BE-së mbi përpjekjen e Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat për t’u bashkuar me bllokun në nëntor të vitit 2020. Sofja ka bllokuar proceset integruese të Maqedonisë së Veriut me arsyetimin  për dështimin e Shkupit në arritjen e implementimit të Traktatit Dypalësh të Miqësisë në gushtit të 2017 duke mos ndryshuar tekstet shkollore që përmbajnë ato që i quan falsifikime historike dhe gjuhë urrejtjeje kundër Bullgarisë, për lejimin e retorikës anti-bullgare dhe për bllokimin e biznesit dhe projekteve të përbashkëta të infrastrukturës. Sofja dhe Shkupi janë kryeqytetet e vetme në Evropë pa lidhje hekurudhore por që kanë një afërsi gjeografike. Gjatë vizitës së kryeministrit bullgar në Shkup raportohet se janë  shprehur disa  konteste  mbi origjinën e  heroit  Goce Dellçev  ndërsa një pozitë më e mirë bilaterale mes dy shteteve synohet që të arrihet në takimet e ardhshme që do të organizohen deri në fund të vitit.

Aktorët  ndërkombëtar  që kontribuan në arritjen e stabilitetit politik mes dy vendeve

Aktoret ndërkombëtar konsiderojnë një arritje të normalizimit të raporteve mes dy shteteve duke ndihmuar dhe lehtësuar qasjen e kuptimësisë dhe përkrahjes. Si Brukseli ashtu edhe presidenca gjermane e BE-së thonë se po punojnë drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Berlini ka ndërmjetësuar mosmarrëveshjen, me delegacionet nga të dy vendet duke kaluar orë të tëra duke negociuar. Berlini ende shpreson se mund të gjendet një zgjidhje dhe është involvuar në të gjitha hapat e përfshirjes dhe rrugëtimit politik të  Maqedonisë së Veriut. Maros Sefcovic, një nënkryetar i Komisionit Evropian, bëri thirrje që përpjekjet të “dyfishohen” për të zgjidhur shqetësimet e ngritura nga Bullgaria dhe për t’u treguar vendeve të Ballkanit Perëndimor se BE ishte ende e hapur për të pranuar anëtarë të rinj.”Ky do të ishte një sinjal i fortë për të gjithë rajonin se procesi i zgjerimit funksionon dhe jep rezultate,” tha ai.

Politika e jashtme

Le ta analizojmë aspektin e ecurisë së politikës së jashtme. Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë në shtator 1991, elitat politike në Sofje gjithashtu kanë luftuar për të formuluar një politikë koherente ndaj Maqedonisë së Veriut pas daljes nga një sistem  socialist  i cili e ka ndjekur në vazhdimësi në aspekt të mangësive politike. Sipas këndvështrimit të Bullgarisë, përparimi mediokër në marrëdhëniet dypalëshe ishte faji i “maqedonasve mosmirënjohës që po vazhdonin me politikat e tyre anti-bullgare, në çështje të tilla si historiografia zyrtare ose trajtimi i atyre që deklaroheshin vetë Bullgarë etnikë”.

Zhvillimi ekonomik i Bullgarisë pas vitit 2000 dhe hyrja e saj në NATO dhe BE forcuan pozicionin dhe imazhin diplomatik të vendit, forcuan pozitën politike edhe brenda vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Të gjithë ata shtetas të Maqedonisë së Veriut që zgjodhën pasaporta Bullgare për të jetuar në Bullgari (apo edhe si mjet për të shkuar diku tjetër në BE) e nënvizojnë këtë hap si shumë të rëndësishëm në mundësitë gjithëpërfshirëse që Bullgaria i dha qytetarëve me origjinë bullgare. Gjithashtu ky ishte një mënyrë unike për t’iu afruar Shkupit dhe për të ofruar shërbimet e saj të mira për integrimin Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Për sa kohë që  VMRO-DPMNE ishte  në pushtet, një afrim i tillë nuk ishte i mundur, për shkak të mënyrës se si Gruevski po keqpërdorte politikën e identitetit për të qëndruar në pushtet. Fitorja elektorale e Zoran Zaev dhe LSDM-së dhe formimi i një qeverie të re, reformiste, pro-evropiane në Shkup në maj 2017 siguroi një mundësi unike për një afrim të tillë politik dhe kulturor, por  ngërçi dhe  progresi  i marrëveshjes që u parashikua vazhdoi  të qëndrojë në po të njëjtin stad.

Gjatë konfliktit disa vjeçarë me Greqinë mbi çështjen e emrit  mbështetja e padiskutueshme diplomatike e dhënë shtetit të në një moment kritik (kur emri i tij kushtetues u diskutua nga Greqia) u komprometua nga vetë Sofja, pasi ajo vendosi të sfidojë elementet thelbësore të identitetit maqedonas duke ia bashkangjitur edhe përvojën e tyre negative diplomatike në qëndresën zyrtare ndaj fakteve historike. Duke marrë parasysh edhe  tranzicionin e vështirë ekonomik, pas vitit 1990, nëpër të cilin kaloi Bullgaria, kur pak nëse do të bëheshin investime në infrastrukturën që lidh të dy shtetet, pritej  që zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe të ishte i ngadaltë dhe e vështirë. Në gusht 2017, të dy palët nënshkruan një Traktat të  Fqinjësisë së Mirë dhe bashkëpunimit mbi bazën e pozicioneve Bullgare mbi atë që duhet të përfshijnë tekstet shkollore maqedonase. Kështu Traktati parashikonte krijimin e një komisioni ekspertësh për të shqyrtuar  çështjet arsimore dhe historike që do të bazoheshin në  burime historike autentike dhe të provuara dhe për kremtimin e ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike .

Tregtia mes dy vendeve

Nivelet e tregtisë midis dy vendeve janë padyshim të vogla për dy shtetet fqinje, të cilat posedojnë shumë  faktorë dhe avantazhe që zakonisht mund të rezultojnë në lulëzimin e marrëdhënieve ekonomike, të tilla si afërsia midis qendrave kryesore urbane të dy vendeve dhe kuptueshmëria e ndërsjellët e të dy gjuhëve. Sidoqoftë, nivelet e tregtisë janë rritur në mënyrë të vazhdueshme ndërsa  në kohët e fundit  mbeten modeste. Sipas Zyrës së Statistikave të shtetit maqedonas, pesë nga dhjetë partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit janë në Evropën Juglindore, me Bullgarinë që renditet e gjashta pas Serbisë dhe Greqisë. Asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, nuk janë midis partnerëve kryesorë tregtarë të Bullgarisë. Sidoqoftë, ndërsa politika e jashtme e Bullgarisë kishte për qëllim të rrisë praninë dhe ndikimin e vendit në Ballkanin Perëndimor deri në zhvillimet e fundit, marrëdhëniet ekonomike me shumicën e shteteve në rajon janë rritur. Maqedonia e Veriut, në veçanti, është partneri i dytë më i madh tregtar i Bullgarisë në Ballkanin Perëndimor, dhe pavarësisht se Maqedonia e Veriut është një vend dhe ekonomi shumë më e vogël, vëllimi i tregtisë me vendin tani rivalizon atë të Serbisë

Hapat përfundimtar diplomatik mes dy vendeve

Në Rezolutën e miratuar në Tetor  të2019, është bërë e qartë, se  në asnjë mënyrë  Sofja “nuk do të lejojë që integrimi i BE-së të shoqërohet nga legjitimimi Evropian i një ideologjie të sponsorizuar nga shteti mbi një bazë anti-Bullgare”. Miratimi i dokumentit, i cili u miratua gjithashtu nga Parlamenti, përbën padyshim një pikë kthese në politikën Bullgare: Sofja e ka “lidhur veten” në një pozicion të ashpër diplomatik, duke kujtuar politikën Greke karshi Maqedonisë së Veriut, ku perceptimet dominuese  identitetit-histori dhe një ndjenjë epërsie diplomatike prodhoi një pozicion diplomatik të ashpër.

Për siguri, qëndrimi diplomatik i Sofjes dhe i gjithë kori i zërave që sfidojnë identitetin dhe gjuhën e maqedonasve kanë theksuar pasigurinë e shumë njerëzve në Maqedoninë e Veriut, dhe gjithashtu është bërë e ditur humbja e shpresës së qytetarëve në aspekt të progresit. Kështu, në një deklaratë emocionuese, Presidenti Pendarovski deklaroi se “ne nuk kemi nevojë për BE nëse çmimi që duhet të paguajmë është të deklarojmë se nuk jemi maqedonas ose se gjuha që flasim nuk është maqedonase”; Ndërsa VMRO-DPMNE po akuzon çdo zë racional në vend që mbron një qasje konstruktive ndaj Bullgarisë, pak a shumë, si një “tradhtar”. Për fat të keq,  po krijohet  një përkeqësim të marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe ndërsa Shkupi me siguri do të përpiqet të shmangë prishjen e marrëdhënieve me Sofjen dhe të pranojë për mbledhjen e komisionit të ekspertëve, duke pasur parasysh pozicionin e tij të cenueshëm diplomatik, është e dyshimtë nëse komisioni mund të arrijë konsensus për çdo figurë dhe ngjarje nën shqyrtim. Vendimmarrësit bullgarë duhet të rishikojnë meritat e strategjisë që i bën marrëdhëniet dypalëshe të varura nga puna e një komisioni historianësh.

Ndërsa zërat skeptik mbi zgjerimin e BE-së brenda Bashkimit Evropian ditë e më shumë po rriten dhe situata politike e shteteve që po pësojnë regjime antidemokratike është mjaftë prezente, shtohet gjithashtu dyshimi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Duke mos e harruar edhe deklaratën  e Presidentit francez Emmanuel Macron se Bashkimit Evropian nuk është i gatshëm ende për një strategji të zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor duke qenë se nevojitet që të reformohet brenda vet strukturës institucionale, administrative dhe vendimmarrëse . Në anën tjetër për një shtet multientik si Maqedonia e Veriut  me një pozitë të volitshme gjeografike dhe një diversitet të nevojshëm për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian stagnimi i tillë politik është i dëmshëm për rajonin dhe për Bashkimin Evropian. Një strategji e tillë  kontestuese konsiderohet si e rrezikshme për të ardhmen e dy popujve, për të ardhmen edhe të BE-së gjithashtu duke  prodhuar  tensione edhe në marrëdhëniet midis qytetarëve në Maqedoninë e Veriut duke qenë viktima të çështjeve që nuk kanë aspak interes, duke kërcënuar të minojnë të ardhmen e tyre, si dhe perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut, në dëm të stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button