Monitorim: Mediumet të kenë kujdes, janë ndezëse të konflikteve!

Thirrje për dhunë, gjuhë eksplicite e urrejtjes dhe nxitëse, diskriminim negativ dhe stereotipizim i një grupi etnik, anshmëri politike dhe informim tendencioz. Kjo është pasqyra e medieve më të lexuara në Maqedoni vetëm për shtatë ditë, tregojnë të dhënat e monitorimit të parë të kryer nga Shkolla e lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun të prezantuara sot në Shkup. Projekti është mbështetur nga ambasada e Holandës, në këtë kontekst ambasadorja e Holandës Marriët Schuurman  tha se politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në politikën editoriale të medieve qoftë me anë të presionit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. 

“Mungesa e autonomisë gazetareske dhe e diversitetit rezulton me krijimin e paragjykimeve ndaj procesit zgjedhor” tha Schuurman.

Monitorimi është fokusuar në atë si raportojnë mediumet rreth zgjedhjeve lokale në gazetat e përditshme: Dnevnik, Koha, Lajm, Veçer, Utrinski Vesnik. Në radiot: RTM 1, Kanall 77, RTM 2. Televizionet: RTM 1, RTM 2 (shqip), Sitell, Alsat-M, Kanal 5, Telma, alfa, TV 24. Mediet online: Plusinfo, Portalb dhe Kurir.

“Në periudhën e monitoruar nuk kishte raste eksplicite të thirrjes për dhunë, por ishin regjistruar disa raste të gjuhës nxitëse në të cilat në mënyrë implicite sugjerohet një zgjidhje e tillë” tha Vesna Shopar, profesoreshë e Shkollës së lartë.

Profesori Sefer Tahiri ka kritikuar mediet maqedonase duke theksuar se ata kanë informuar në mënyrë selektive për protestat e organizuara të premten dhe shtunën duke lënë anash faktin më të madh, që janë rrahur shqiptarë në sheshin e Shkupit.

“Fenomeni i raportimit etnik e prish profesionalitetin e gazetarisë. Të gjithë televizionet nacionale maqedonase kishin raportim selektiv dhe nuk e kanë cekur faktin që janë rrahur shqiptarët në sheshin e Shkupit ndërsa nga ana tjetër për protestat e të shtunës të gjitha e theksuar se protestojnë shqiptarë duke mos zbuluar arsyet se protesta nuk ishte pro ministrit të mbrojtjes Talat Xhaferi por ishte kundër dhunës së shqiptarëve. Gjatë raportimit të këtillë ata janë munduar ta ri-konstruojnë realitetin dhe ti manipulojnë  qytetarët” thotë profesori Tahiri.  

Më tej, në raport shkruhet se tekstet e mediumeve kanë përdorur gjuhë negative kundër një bashkësie tjetër etnike duke stereotipizuar ata. 

“Dy vitet e fundit përfaqësuesit ndërkombëtar kanë shprehur shqetësime të mëdha për situatën e mediumeve në Maqedoni. Mbulimi i paanshëm dhe objektiv i këtyre zgjedhjeve sjell dobi për vetë procesin. Mediet dhe shoqëria civile duhet të mundësojnë kushte për raportim të paanshëm dhe të iniciojnë debate të frytshme” theksoi ambasadori i OBSE-së në Shkup, Ralf Breth. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button