Prona e Postave të Maqedonisë nuk ka qenë e siguruar – kush do ta paguajë dëmin nga zjarri?

Prona e Postave të Maqedonisë nuk ka qenë e siguruar, ndërsa dëmet nga zjarri e djeshëm do t’i kompensojë kompania e sigurimit e cila duhet të zgjidhet së shpejti!

Një deklaratë të këtillë dha pak më parë në konferencën për shtyp, Rafiz Alit, drejtori i përgjithshëm i Postave të Maqedonisë, ku foli për atë që është konstatuar deri tani sa i përket shkaqeve të zjarrit në drejtorinë e ndërmarrjes që gjendet pranë lumit Vardar. 

Sipas tij, serveri kryesor nuk është dëmtuar dhe sot duhet të lidhet në rrjet, dhe më pas do të vazhdohet me pranimin e pagesave të qytetarëve. 

Deri tani është konstatuar se është djegur konstruksioni i kulmit dhe një pjesë e sporteleve në sallën kryesore, si dhe disa zyra në katin e dytë. Në sallën e sporteleve kanë qenë të vendosura edhe këmbimorja dhe sportelet për pagesa, dhe siç i kanë thënë të punësuarit Alitit, qarkullimin ditor në denarë dhe në deviza, disa sekonda para se të ikin, e kanë lënë në kasafortën metalike.

Akoma nuk dihet se sa është vlera e dëmit, dhe këtë do ta bëjë komisioni që është formuar dje.

“Në këtë fatkeqësi, fat i madh është ajo se nuk është dëmtuar serveri kryesor, të cilin, shërbimet profesional sot do ta lidhin me rrjetin dhe shpresojmë se po sot do të vazhdojmë me pagesat e qytetarëve. Nga ajo që na informuan shërbimet, zjarri është ndezur nga një lidhje e shkurtër elektrike, por megjithatë, fjalën e fundit do ta thonë hetuesit. Zjarri nuk e ka dëmtuar zyrën time dhe disa zyra të tjera në katin e dytë. Poashtu, në emër të të punësuarve të Postave të Maqedonisë, dëshiroj t’u falënderohem zjarrfikësve, të cilët reaguan me kohë dhe penguan që të mos shkaktohet dëm më i madh” – theksoi drejtori Aliti.

Aliti tha edhe se tenderi për sigurim është në vijim e sipër, ku janë paraqitur disa kompani ndërsa marrëveshja do të vlejë prej 1 janarit të këtij viti, dhe se kompania e përzgjedhur do të duhet t’i mbulojë edhe dëmet nga zjarri i djeshëm. Nuk dihet se tani , pas zjarrit, a do të tërhiqen kompanitë që kanë konkurruar në tender. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button