Të drejtat e njeriut nën dhunën e pandemisë

10 Dhejtori - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Kjo dhunë u bë edhe më shqetësuese nga qindra dekrete komanduese qeveritare që preken thellë të drejtat themelore të njeriut, duke filluar nga e drejta e lirisë së  lëvizjes e deri te humbja e sigurise dhe mirëqenies. Mediat u bënë dorë e zgjatur e situatës duke mos mbajtur llogari për përhapjen e frikës dhe panikut ndër qytetarët, pa parë dritë dhe optimizëm në fund të tunelit, edhe pse ato ekzistojnë. Vakcina po vjen.

Kur në muajin mars të këtij viti në shumë vise të botës dhe nëvendin tonë u regjistruan rastet e para me virusin Kovid 19, rrallë kush  besonte në përmasat e pasojave që po i ndjejmë të gjithë dhe  pa kurrfarë përjashtimi. Pandemia nxorri në sipërfaqe jo vetëm dobësitë e sistemit shëndetësor botëror por edhe të shteteve veçmas. Po të mos ishte kështu Organizata botërore e shëndetësisë nuk do ta këshillonte njerëzimin e shekullit 21 që ti ,,lajë duart,, por menjëherë duhej të diltë me vaksinë. Sepse është fjala për lloj virusi, sido që të quhet. Pandemia dëshmoi se njerëzimi nuk vuan vetëm nga konfliktet, mungesa e paqës, mungesa e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, nga padrejtësitë,  varfëria, por po vuan edhe nga një sitem i dobët shëndetësor.

Fakti që virusi ka përfshirë globin nuk guxon të na ngushëllojë ne stilin ,,ku është bota aty edhe ne,, sepse çdo shtet ka burimet, potencialet, zhvillimet dhe veçorite e veta. Republika e Maqedonisë së Veriut është ndër shtetet e para në regjion që miratoi masa shumë të rrepta dhe shtërnguese  për luftën kundër pandemisë. Mbyllje çerdhesh për fëmijë, mbyllje shkollash, mbyllje kafeneshë e restorantesh, qytetarë në karantinë pa kurrfarë kriteresh, qytete nën karantinë, orë policore në nivel shtetëror, ndalime grupimi e ahengjesh, mbyllje kufijsh, mbajtje të maskave në ambiente të mbyllura, pastaj edhe në ato të hapura, dënime me burg e me para për ata që nuk respektojnë masat,  si dhe shumë kufizime tjera. Në periudhën e pandemisë, ndodhi edhe nje precedent i rëndë mbi buxhetin e qytetarëve, shtrejtimi i energjisë elektrike me arsyetimin e mjerë se kjo bëhet me kërkesë të kompanive, për shkak të humbjeve që kanë pësuar nga pandemia. Interesi i kapitalit të kompanive u vu mbi interesin qytetar. Qytetarët demonstruan vetëdije dhe diciplinë të lartë ndaj urdhëresave.

Edhe pse masat kufizuese goditën rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut, duke filluar nga liria e lëvizjes dhe e qarkullimit  e deri  te humbja e sigurisë dhe mirëqenies, këto masa nuk iu nënshtruan debatit dhe miratimit parlamentar, por dolën nga dekretet komanduese qeveritare. Qytetarët në vend që të udhëhiqen nga liderët e tyre, ata u komanduan. Është fjala për qindra dekrete (që në mungesë të funksionimit  të organit më të lartë ligjvënës) të cilat seriozisht prapësuan  orientimin dhe përditëshmërinë  qytetare. Edhe përkundër këtyre masave të rrepta Maqedonia e Veriut prin në rajon  me numrin e të infektuarve, të hospitalizuarve  dhe të vdekurve nga KOVID19. Izolimi total i personave të shtrirë në spitale duke moslejuar të vizitohen as së paku nga një familjar i tyre, ka traumatizuar edhe më shumë gjendjen e të infektuarve. Mungesa e tranparencës së  punës të spitaleve të Kovid 19 ka hapur shumë dyshime dhe pikëpyetje për trajtimin e të sëmurëve. Çfarë ilaçesh u jepet?! Nga vjen oksigjeni dhe çfarë cilësie ka?! Mediat duhej të ishin më këmbëngulës nga spitalet, mbase edhe nga dhomat e shërimit. Mjekët që shëtisin përfshirë edhe Ministrin e Shendetësisë, nga  një studio televizive në një tjetër, sado të sinqertë qofshin në deklarimet e tyre, nuk mund ta zëvendësojnë raportimin nga vendi i ngjarjes, sepse aty dhe vetëm aty zhvillohet  e vërteta. Pacienti ka të drejtë të njoftohet për ilaçet me të cilat trajtohet, e jo ti thuhet se ajo nuk është punë e tij, por e mjekut. Ankthi është edhe më i madh për anëtarët e familjes të cilët nuk i informon askush, për asgjë. Po, sikur mediat të zbulonin edhe ndonjë gabim mjekësor, nuk do të ndodhte asgjë, sepse në këtë tollovi të shkaktuar nga pandemia, do të dukej normal edhe ndonjë gabim mjekësor.Me rëndësi është e vërteta. Mediat në vend që të hulumtojnë u bënë kumtues të numrave të kobshëm, kaq të sëmurë, kaq të vdekur dhe kaq do të vdesin. Në këtë mënyre mediat u bënë dorë e djathtë e situatës duke mos mbajtur llogari për përhapjen e frikës dhe panikut ndër qytetarët, pa parë dritë dhe optimizëm në fund të tunelit  edhe pse ato ekzistojne. Vakcina po vjen, edhepse me disa muaj vonesë nga shtetet e zhvilluara.Fakti që në Maqedonine e Veriut ekzistojnë me qindra mediume eletronike dhe portale, nuk na bën shoqëri  të hapur dhe transparente nëse nuk informojmë për të vërtetën, por vetëm i shkojmë vërdallë asaj.

Gjatë kohës së pandemisë të gjitha hallet dhe problemet tjera të qytetarëve u bënë dytësore, madje edhe sëmundje tjera shumë të rënda, të cilat fare nuk u morën në konsideratë nga mjekët. Edhe realizimi i të drejtave të qytetarëve para organeve të administratës shtetërore dhe organeve tjera që kryejnë autorizime publike sikur presin ditë më të mira. Në këto rrethana është shumë vështirë të flitet për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj, 10 Djetori-Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut na përkujton se këto të drejta, qoftë në kohe lufte, qoftë në kohë paqe, por edhe në kohë pandemie janë të  patjetërsueshme.

(Autorja është zëvendëse e Avokatit të Popullit)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button