Pasaporta bullgare më e preferuar se ajo maqedone?!

Një numër i madh i qytetarët e Maqedonisë lindore dhe ata të jugut, përveç pasaportës maqedonase, kanë siguruar edhe pasaportë bullgare. Varfëria dhe papunësia, i ka trembur qytetarët e Maqedonisë dhe kjo i ka shtyrë të mos kërkojnë punë në këtë vend, dhe tani ata pretendojnë se varianti më i mirë është të punojnë jashtë vendit.

Edhe pas liberalizimit të vizave, qytetarëve të Maqedonisë nuk u lejohet të punojnë në vendet e Bashkimit Evropian, madje ata janë edhe të kufizuar në afatin kohor të qëndrimit jashtë vendit. Prandaj, disa qytetarë kanë vendosur të nxjerrin pasaportë bullgare, me të cilën janë më të lirë për të qarkulluar, dhe sipas qytetarëve, kjo pasaportë mund të sigurohet lehtë.

“Ka 6 muaj që kam fituar pasaportë bullgare. Ende nuk kam udhëtuar me të por së shpejti do të udhëtoj. Shumë familjarë të mi kanë marrë pasaportë bullgare, madje ata ishin ata të cilët më rrëfyen dhe udhëzuan se si ta marr. Kam paguar 500 euro”, tha për Portalb një qytetar i Shkupit i cili nuk deshi t’i publikohet emri.

“Të gjithë thonë se mund të punojmë me këtë pasaportë në vendet e Evropës, kështu veprojnë kushërirët e mi të cilët momentalisht gjenden jashtë vendit” shtoi ai.

Po ashtu B.D nga Shkupi, shqiptar i cili rrëfen për ofertën të cilën i është ofruar për pasaportë bullgare. Ai tha se kusht për marrjen e pasaportës është që qytetari të jetë ortodoks, dhe mu për këtë ai nuk ka arritur të fiton një pasaportë bullgare.

“Derisa prisja në rend në një agjenci për punë, takova një djalë i cili më rrëfeu për një person nga Velesi,dhe se ai për 500 euro mundej të më nxjerr pasaportë bullgare. Gjatë bisedës ai edhe më tha se do më ndihmon nëse do doja të marrë pasaportë, por më pas kur kuptoi se jam mysliman, e atëherë më tha se pasaportat u shpërndahen vetëm ortodoksëve”, tha ai.

Ditë më parë, ish ministri bullgar dhe drejtori aktual i Muzeut Kombëtar të Sofjes Bozhidar Dimitrov, për gazetën bullgare “Standard” deklaroi se 86 mijë shtetas të Maqedonisë janë pajisur me pasaportë bullgare. Mirëpo ai tha se nuk është vetëm çështje e udhëtimit dhe e drejtës për punë që i tërheq shtetasit e Maqedonisë të nxjerrin pasaportë.

“Për nënshtetësinë bullgare ka interes të madh në Maqedoni. Deri më tani 86 mijë maqedonas kanë fituar pasaporta bullgare, që përbëjnë  pothuajse 10 për qind nga popullsia sllave në vend. Ky interes vazhdon edhe tani, me çka bie teza e propagandës maqedonase se pasaportën bullgare maqedonasit e kanë dashur vetëm për udhëtuar drejtë Perëndimit. Para dy viteve BE i hoqi vizat për Maqedoninë, por interesimi për pasaportën bullgare vazhdoi të jetë i madh”, tha Dimitrov.

Qytetarët e Maqedonisë edhe pse kanë pasaportë maqedonase me të cilën janë të liruar nga vizat për udhëtim, ata vazhdojnë të tregojnë interes për pasaportë bullgare. Nga Mali i Zi, diplomacia paralajmëron për kthimin e mundshëm të regjimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, ku më saktësisht bëhet fjalë për Serbinë dhe Maqedoninë. Mediat e Malit të Zi thonë se votimi për kthimin e vizave do të bëhet më 31 janar, e nëse kjo ndodh, interesi për pasaporta bullgare mund të rritet./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button