Gostivar, promovimi i dhjetë veprave të Adem Demaçit

14 janar- Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, do të bëhet promovimi i dhjetë veprave të Adem Demaçit.

Kryetarit i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, simboli i rezistencës, heroi i gjallë i Kosovës – baca Adem Demaçi, në Gostivar vjen i shoqëruar nga poetët Flora Brovina dhe Arif Bozaxhi si dhe kritikun letrar Prof.Dr. Shyqri Galica.

Në sallën e Këshillit të Komunës, të mërkurën me fillim në ora 13:00, do të promovohet kompleti  i veprave (dhjetë  vëllime) ndër të cilat romanet “Shkrumbnajë e dashuri” dhe “Nëna shegë e pesë gocat”, trilogjia “Heli e Mimoza” dhe të tjera.

Para promovimit, mysafirët e lartë nga Kosova, në kabinetin e tij do t’i pranojë kryetari i komunës Rufi Osmani. Në këtë ngjarje janë ftuar të marrim pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, personalitete nga jeta kulturore dhe letrare, veteranë të arsimit dhe veprimtarë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”

Lajme të ngjashme

Back to top button