Greqi, sulmohen shtëpitë e pesë gazetarëve të njohur

Pesë sulme të koordinuar brenda një ore ndaj banesave të disa prej gazetareve të njohur në Greqi kanë vënë në alarm policinë greke dhe Departamentin Antiterrorist.
Sipas burimeve policore rreth orës 3.40 të mëngjesit të së premtes është regjistruar shpërthimi i parë i një bombe artizanale në banesën e Jorgos Ikonomeas, një prej dy prezantuesve te emisionit informativ të mëngjesit në televizionin privat Mega Channel.

Në vazhdim janë regjistruar shpërthime tek banesat ku jetojnë drejtori i agjencisë shtetërore të lajmeve Andonis Skilakos dhe një ndihmës i tij, gazetari specialist i financave Kristos Konstas, ish-prezantuesi i lajmeve i të njëjtit stacion televiziv Andonis Liaros, si dhe gazetari hulumtues, Petros Karsiotis, raporton Top Channel.

Në të gjitha rastet mënyra e veprimit është e njëjtë, pasi janë përdorur bomba artizanale të përbëra prej një kapsolle,dy bombola gazi dhe një sahati -thuhet në deklaratën për shtyp të policisë që e konsideron një sulm të sinkronizuar. Deri tani asnjë organizatë apo grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa çështja po hetohet nga Anti-terrori grek.

Organet e rendit vlerësojnë se sulmet vijnë nga radhët e personave anarkiste si një reagim ndaj lidhjeve të dyshimta korruptive midis politikanëve, qeveritarëve dhe gazetarëve.

Shkak i mundshëm për këtë akt shpjegohet të jetë një incident në emisionin e pardjeshëm të mëngjesit, kur një prej gazetarëve të kanalit MEGA ka përdorur një sharje të rëndë për anarkistët që kishin pushtuar një vilë në qendër te Athinës ,duke kujtuar se e kishte mikrofonin të mbyllur pas pushimit për publicitet.

Kjo sharje është dëgjuar nga të gjithë telespektatorët dhe ka shkaktuar komente nga më të ndryshme në mediat sociale, kundër “gazetareve” që u shërbejnë interesave te caktuara politike./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button