DR demanton se dega e kësaj partie ka kaluar në PDSH

Lidhur me lajmin mbi kalimin në PDSH të Degës së Demokracisë së Re në Çair, ka reaguar me demant Zyra për Informim e DR-së. 

Nga DR i quajnë tërësisht të pavërteta pohimet e PDSH-së mbi kalimin e anëtarëve të DR-së në këtë parti, duke akuzuar se “konferenca e sotme është e inskenuar me anë të disa personave që nuk janë anëtarë të DR-së”.

“DR, me përgjegjësinë më të madhe dëshiron të informojë opinionin se personat të cilët u paraqiten para kamerave, nuk janë aktivistë të DR-së, por thjeshtë kalimtarë të rastit, të cilët PDSH i mori dhe i nxori para opinionit sa për ta arsyetuar kalimin e këshilltarit të PDSH-së, Isamedin Azizi, në DR”, thuhet në demantin e DR-së.

Kjo parti pretendon gjithashtu se kryetari i Degës në Çair nuk është Taip Jusufi, por Jusuf Tahiri, ndërsa thotë se as që i njeh personat që kanë folur në konferencën e sotme. 

“PDSH po mundohet që me persona të tillë ta lëndojë moralin dhe bindjen e aktivistëve të DR-së në Çairit, por kjo për fat të keq për vite të tëra nuk po arrin ta bëjë. Edhe kësaj herë janë munduar që me paraqitjen e disa personave të pandërgjegjshëm, të cilët etiketohen si aktivistë të DR-së të dalin para mediave dhe të pohojnë trillime dhe të pavërteta për opinionin se gjoja se në PDSH po kalojnë aktivistë të DR-së”, thuhet më tej në reagimin e DR-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button