Orav dhe Wohlers: Opozita të kthehet në Kuvend, qeveria të rivendos dialogun

Krerët e misioneve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aivo Orav dhe Paul Wohlers, kanë bërë thirrje përmes një deklarate të përbashkët për rikthimin e opozitës në Kuvend dhe për rivendosjen e dialogut politik mes palëve. 

Orav dhe Wohlers shprehen të brengosur se zhvillimet e fundit politike kanë zhvendosur vëmendjen nga prioritetet strategjike të shtetit. 

“Kuvendi është forumi kryesor i shqyrtimit dhe zgjidhjes së çështjeve, si dhe i debatit në një demokraci parlamentare. Prandaj, e inkurajojmë opozitën që të kthehet në Kuvend në mënyrë që të përfaqësojë numrin e madh të qytetarëve të cilët në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë hedhur votat e tyre në mbështetje të partive opozitare. Çdo demokraci ka nevojë për një opozitë të fuqishme dhe aktive. Në mënyrë të njëjtë inkurajojmë qeverinë që të ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për rivendosjen e dialogut politik, si dhe për krijimin e kushteve për veprim efikas dhe transparent në Kuvend. Është e rëndësishme që të gjitha partitë ta respektojnë këtë institucion, procedurat dhe vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët. 

Ne besojmë, vijon tutje deklarata, se “kjo do të ishte në interes të të gjitha partive politike dhe në interes të vendit, meqë agjendat e integrimit në BE dhe në NATO janë të një rëndësie kyçe për të ardhmen e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike.” 

Lajme të ngjashme

Back to top button