NËNTORI I NJË PANDEMIE

Fati dhe historia e popullit shqiptar janë dëshmitë e vetme jo vetëm për ne, por edhe për botën e huaj se si dikur ka qenë jeta jonë, me ç’hapa e në ç’rrugë kemi ecur për të arritur deri më sot, për të festuar krenarë festat tona kombëtare, pavarësisht rrethanave dhe pengesave që na nxirrnin përpara njerëzit, të cilët pa ndalë luftonin kundër nesh (e këto të fundit historia i njeh me shekuj e shekuj). Është në gjakun tonë që këto festa t’i presim ashtu siç edhe na kanë mësuar të parët tanë e kurrë të mos e tradhtojmë qëllimin e tyre, nisur nga fakti që si të tilla kanë ardhur falë përpjekjeve dhe mundimeve të vazhdueshme, qoftë edhe atëherë kur disa nga pikat e tyre i lindnim edhe nga hiçi, mjaftonte që si të tilla të ishin tonat.

Sa herë që afrohen ditët e para të këtij muaji, thellë në vetët tona mendjen, zemrën dhe duart i bëjmë bashkë, të bindur se vetëm në një mënyrë të tillë do të jemi të denjë përpara njerëzve që rrugën e këtillë tonën e kaluan me vështirësi të shumta dhe u munduan që ne së paku flamurin ta ngrijmë pa droje, t’i thërrasim shqiponjës me bindjen se do na njeh e me dashuri ta quajmë tonën, të shkruajmë shqip me ato shkronja, së cilave sot ua shtojmë jetën dhe vlerën edhe në rrethe të huaja, aty ku ne në çdo mënyrë na mohohet e drejta për jetesë të barabartë, ose ta këndojmë himnin sa herë që për popullin tonë arrihet diçka që vërtet ka vlerë.

Festa të tilla, të cilat që nga historia i kemi tonat e për çdo ditë ua shtojmë gëzimin, janë 22 (Festa e Alfabetit – Kongresi i Manastirit) dhe 28 Nëntori (Festa e Flamurit – Pavarësia e Shqipërisë), dy festa që shënojnë arritjet më të mëdha tonat përgjatë shumë viteve. Nga ajo që kemi dëgjuar e nga ajo që kemi arritur të shohim vetë, dimë se këto festa brenda vetes përmbajnë emocione të forta e të shumta, të cilat vetëm ne si popull dimë t’i ndjejmë e syqeshur t’ua tregojmë edhe të tjerëve se sa kanë rëndësi për ne, kur në çaste të caktuara tentohen të mohohen.

Por, për një çast le të ndalemi në vitet paraprake. Le t’i kujtojmë ditët e këtij muaji. A nuk ishin për të gjithë ditët më të lumtura, veçse e kujtonim të djeshmen tonë e nga e njëjta harronim çdo vështirësi, që të sotmen ta bënim më të bukur? A nuk kishim të gjithë emocione të forta sa herë flamurin e shihnim në duart e fëmijëve ose te të rriturit që me çiltërsinë fëmijërore e vinin në ballkone e murre shtëpie, që festën ta ndjenin edhe ato jashtë shtëpisë? Pra, gjithçka e bukur, gjithçka e vlefshme, gjithçka që për ne shkruan/tregon historinë, lidhet me këto dy data. Gjithçka sillet rreth “jetës” së tyre, me ç’rast ne si popull ndihemi krenarë.

Po këtë vit? Si i presim festat e këtij nëntori? Në çfarë na ka kushtëzuar pandemia? Në ç’pika lidhim shpresat tona për këtë muaj? A nuk na ngjason të gjithëve me diçka pa jetë e pa ngjyrë? Me diçka që është pak ta quajmë edhe gri. A nuk është për të gjithë ky muaj ashtu siç nuk e kemi dashur e menduar asnjëherë? Sepse ne jemi mësuar ta presim ashtu siç edhe vërtet meritohet, të nisur e të nxitur nga ajo që ne kemi kaluar. Nëse pas gjithë këtyre pyetjeve mendojmë njëjtë dhe për të gjitha marrim një PO të madhe, është shumë normale që brenda vetëve tona të lutemi për më të mirën dhe për largimin sa më të shpejtë të kësaj pandemie, e cila jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht ka arritur të shkatërrojë njerëzit.

Pas gjithë kësaj, nëse të gjithë pajtohemi se ky nëntor është ndryshe dhe nuk ngjason me asnjë nga ato të mëparshmit, nëse të gjithë për ta ngushëlluar veten i mendojmë gëzimet dhe festimet e viteve paraprake, le ta bëjmë atëherë së bashku edhe të njëjtën gjë: të shpresojmë për më të mirën e së nesërmes, e një nëntori që nuk do e ketë prapa epitetin e padëshiruar, që nuk do jetë më i shoqëruar nga një pandemi, e një nëntori që do jetë i qeshur bashkë me ne, ashtu siç ne e meritojmë e ashtu siç edhe na kanë bekuar mbi tokë.

Shkroi – Adelina XHAFERI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button