Sa janë reale kërkesat e LSDM-së?

Kushtet të cilat i bëri të ditura mbrëmë LSDM garantojnë komplikim të mëtejshëm të mosmarrëveshjeve pushtet – opozitë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale, vlerësojnë analistët. 

Ideja për zëvendësimin e tre ministrave konsiderohet si kërkesë astronome e cila vështirë se do të pranohet nga partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE. 

Xhelal Neziri thotë se edhe nëse ndryshohen këta ministra dhe drejtori i servisit publik RTVM-së, nuk garanton paanshmëri.

“Kërkesat e LSDM-së më duken si kërkesat e njerëzve që kërkojnë punë por lusin Zotin të mos gjejnë. Kërkesa të rekonstruktohet qeveria, me ç’rast do ndryshohen tre apo katër ministra, është e palogjikshme pasi edhe me ministrat e rinj do të zbatohet e njëjta politikë. Po ashtu edhe kërkesa për ndërrimin e drejtorit të TVM-së nuk do të thotë se do të ndryshohet politika redaktuese e këtij mediumi që duhet të jetë servis publik, e jo partiak. Është mirë që zgjedhjet t’i organizojë një qeveri teknike, apo siç thuhet me kredibilitet, dhe të pranohen kërkesat për ndarjen e funksionit qeveritar nga kandidatët në zgjedhje” – thotë Xhelal Neziri për Portalb.

Megjithatë, ai vlerëson se VMRO-DPMNE mbase do të lëshojë pe që të arrihet deri te kompromisi, nëse brenda opozitës maqedonase ka unitet për bojkot të zgjedhjeve.

Analisti Dame Çkatroski parashikon tre skenarë të mundshëm të zhvillimeve pas kërkesave të Cërvenkovskit. 

“E para, Gruevski të thërret mbledhje liderësh, të mos i caktojë zgjedhjet por të refuzon një pjesë të kërkesave. E dyta, Gruevski do të refuzon gjithçka dhe do të urdhëron marionetën Veljanovski të caktojë zgjedhjet. E treta, Gruevski do të pranon një pjesë të kushteve dhe do të specifikon cilat janë ato, me çka do të kthen topin në oborrin e LSDM-së. Nëse luan ashpër, mendoj se njëjtë do ti kthehet edhe nga Cërvenkovski, me çka të dy do të bien në probleme” – deklaroi Çkatroski.

Ai vlerëson se teza e parë, gjegjësisht thirrja e një mbledhje liderësh nga ana e kryeministrit, ku do të pranon një pjesë të kushteve të Cërvenkovskit është më e realizueshme, megjithatë nuk përjashton mundësinë që Gruevski të hedh poshtë gjithçka pa asnjë kompromis. Në një situatë të tillë, sipas tij, çdo skenar i mëtutjeshëm është i mundshëm. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button