“Bukë dhe batanije për Sirinë”

Këshilli i shoqatave joqeveritare në Maqedoni, në kuadër të projektit të organizuar nga organizatat joqeveritare dhe humanitare të Unionit të Organizatave Ndërkombëtare të Botës Islame nën moton “Bread and blanket for Syria” (“Bukë dhe batanije për Sirinë”), sot në një konferencë përfaqësuesit e organizatës kulturore humanitare “Merhamet” thanë se bashkë me një numër të madh të organizatave dhe shoqatave të vendit do t’i bashkëngjiten këtij projekti.

“Jemi mbledhur sot këtu që të shprehim brengën tonë për fatin e një populli, i cili po kalon momentet më të vështira të historisë e tij. Fatin tragjik, të cilin jo moti e shijuam edhe ne si popull: torturat, depërtimet, përdhunimet, masakrat dhe gjenocidin, sot po e përjeton populli i Sirisë, ndërsa në këtë gjendje janë ekspozuar edhe atë kategoritë më të pambrojtura: fëmijët, gratë dhe pleqtë. Duke qenë popull që e ka përjetuar në lëkurën e tij dhunën dhe që mbase më mirë se gjithkush e di rëndësinë e solidaritetit, ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe të mjaftohemi vetëm me një keqardhje kurtuazie. Pikërisht kjo na ka motivuar që ne të marrim hapa konkrete për t’i dalë në ndihmë popullatës së pambrojtur sirian”, u tha në hapjen e shtypit.

“Nga ky moment, të shtyrë nga ndjenja e solidaritetit, edhe ne si shoqëri do të kemi mundësi që t’i bashkëngjitemi karvanit mobilizues botëror të Unionit të Organizatave Ndërkombëtare të Botës Islame, i cili nën moton “Bread and blanket for Syria” (“Bukë dhe batanije për Sirinë”) po zhvillon konferenca dhe fushata sensibilizuese për përkrahje dhe mbledhje të ndihmave për popullin e Sirisë. Me këtë konferencë për shtyp Këshilli i shoqatave joqeveritare” në Maqedoni e shpall të hapur fushatën mobilizuese “Bukë dhe batanije për Sirinë”, e cila përfshin grumbullimin e mjeteve financiare për këtë qëllim”, thanë përfaqësuesit e kësaj shoqate.

Po ashtu ata treguan kontribuuesit dhe pjesëmarrësit në këtë projekt, ndër të cilët kishte shumë fondacione dhe shoqata jo qeveritare./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button