Zgjedhje dramatike në SHBA, rritet dallimi në vota, në 6 shtete akoma nuk është përcaktuar fituesi

Garë e ngushtë po zhvillohet në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mes presidentit aktual Donald Trump dhe kundërkandidatit të tij, Joe Biden. Rezultatet ende nuk janë përfundimtare, ndërkaq fituesin pritet ta vendosin disa shtete kyçe, njofton Portalb.mk.

23:59: Në Miçigan, ku janë 16 vota elektorale, raportohet se fitues ështe kandidati demokrat Biden. Kështu rritet diferenca ndërmjet dy kundërkandidatëve. 

Akoma fituesi nuk është përcaktuar në 6 shtete, si Karolina e Veriut, Pensilvania, Arizona, Nevada, Alaska dhe Xhorxhia.

Rezultatet e fundit:

 

22:20: Në Uiskonsin me 10 vota elektorale dhe Mejnin me 4 vota elektorale, raportohet se fitues është kandidati demokrat Biden. 

Ekipi i republikanëve, raporton VOA, ka kërkuar rinumërim në Uiskonsin, ndërsa në Miçigan është kërkuar rinumërimi i votave.

Kanë ngelur vetëm edhe 7 shtete ku ende është vështirë të përcaktohet fituesi, si Karolina e Veriut, Pensilvania, Miçigan, Arizona, Nevada, Alaska dhe Xhorxhia.

18:30 – Janë 8 shtete që ende është vështirë të përcaktohet fituesi, si Karolina e Veriut, Pensilvania, Miçigan, Uiskonsin, Arizona, Nevada, Alaska dhe Xhorxhia.

Në Xhorxhia kanë ngelur edhe 200 mijë vota pa numëruar, ndërkohë raportohet se po udhëheqë Donald Trump, sikurse edhe në Pensilvania. Raportohet gjithashtu se në Mejn demokratët kanë fituar 3 vota elektorale, nga gjithsej 4 të mundshme.

Ndërkohë, kandidati demokrat, Joe Biden, ka pasur epërsi në Arizonë, Miçigen, Nevada dhe Uiskonsin,  Megjithatë, zyrtarët zgjedhorë paralajmërojnë se rezultati mund të ndryshojë, meqë numërimi i dhjetëra mijëra votave me postë dhe me kusht është duke vazhduar.

14:07 – Shteti federal amerikan Nevada, pa dhënë asnjë arsye, ka bërë të ditur se do ta ndërpresë numërimin e votave për zgjedhjet presidenciale deri më 5 nëntor.

Ky shtet, ku gara është shumë e ngushtë ndërmjet presidentit aktual, Donald Trump dhe kandidatit demokrat, Joe Biden, ka njoftuar në Twitter se ende ka për të numëruar votat me postë të pranuara në ditën e zgjedhjeve, votat me postë që do të pranohen gjatë javës së ardhshme dhe votat me kusht, në mënyrë që të kompletohet numërimi.

Biden duhet të fitojë të paktën tri nga këto shtete që të fitojë garën presidenciale, ndërkaq Trump duhet të fitojë të paktën katër njofton REL.

“Është vështirë të vlerësohet se sa fletëvotime janë të papërdorura në Nevada sepse ҫdo votuesi i është dërguar një fletëvotim me postë. Natyrisht, jo të gjithë do të votojnë”, thuhet në komunikatën e postuar në Twitter, nga llogaria e Divizionit të Zgjedhjeve të Sekretarit të Shtetit të Nevadas.

10:00Trump akuzoi se demokratët po përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet.

“Kemi një avantazh të madh, por (Demokratët) po përpiqen të na vjedhin zgjedhjet. Nuk do ta lejojmë këtë. Votat nuk duhet të hidhen pasi të mbyllen kutitë e votimit”, ka shkruar Trump në postimin e tij.

Ndaj këtij postimi, reagoi Tuitter duke i shtuar një shënim si informacion që është “i diskutueshëm dhe që mund të jetë mashtrues”.

Trump bëri një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi fitore në zgjedhje edhe pse numërimi i votave është ende në proces.

Ai tha se “një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t’u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë.”

Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues.

“Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë,” tha Trump.

“Ne po përgatiteshim t’i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi. Ky është një moment i madh, është një mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë”, tha Trump.

Nga ana tjetër, Biden ka shkruar se janë në rrugë të drejtë për të fituar.

“Ndihemi mirë për vendin ku jemi. Ne besojmë se jemi në rrugën e duhur për t’i fituar këto zgjedhje”, është porosia e Biden, të cilën e ka shkruar së fundmi në Tuiter.

Në një tuit paraprak, ai ka shkruar se nuk është vendi i tij apo i Trumpit për të shpallur fitoren, por vendi është i votuesve.

Ndër shtetet më të mëdha që ka fituar Trump janë Florida, Misisipi, Teksas, Montana, Ohajo, Ajdaho, Luiziana. Ndërkaq Biden në Uashington, Nju Jork, Kaliforni, Minesota, Rhode Island, Virxhinia, Arizona.

Në orët e ardhshme dhe ndoshta për disa ditë, vëmendje e madhe do t’i kushtohet numërimit të votave në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin – shtete që ndihmuan t’i jepnin fitoren zotit Trump në vitin 2016 dhe që dolën si fushat kryesore të betejës elektorale përsëri në vitin 2020. Pensilvania është një nga disa shtetet ku me sa duket do të duhet kohë shtesë për të numëruar votat e shumta të hedhura me postë nga amerikanët të cilët preferuan të mos votonin personalisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Zëri i Amerikës shkruan se  siç edhe pritej, demokratët me gjasë do të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkaq kontrolli i Senatit nga republikanët është i pasigurt, pasi rezultati i disa garave për Senatin në të gjithë vendin nuk është shpallur ende.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden ka fituar në shtetin Arizona, me një rëndësi kritike për kandidatët.

Kandidati që fiton 270 delegatë, që është një më shumë se gjysma e 538 delegatëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA, fiton të drejtën që të bëhet president në SHBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button