AMAN-i nesër i dorëzon 13.000 nënshkrime për rrymë më të lirë

Nesër, më 30 janar 2013 (e mërkurë), me fillim në orën 14, te Shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës, iniciativa qytetare AMAN do ta fillojë marshin protestues, i cili do të përfundojë para Parlamentit, me dorëzimin e 13.000 nënshkrimeve që janë mbledhur nëpërmjet procedurës zyrtare për propozimin e ligjeve në Parlament, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

“Ky është një sukses për të gjithë ne. Në këtë iniciativë morën pjesë qytetarë të kombeve dhe feve të ndryshme, me bindje të ndryshme politike. Kjo nuk krijoi përçarje mes nesh, përkundrazi, AMAN arriti të bëhet një simbol qytetar, mbinacional dhe mbipartiak. Sinqerisht, i urojmë dhe i falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar në këtë nismë, dhe u bëjmë thirrje, atyre, si dhe të gjithë qytetarëve, që të na bashkohen në dorëzimin e nënshkrimeve nesër”, deklaruan përfaqësuesit e AMAN-it në konferencën për shtyp që u mbajt sot para zyrave të Komisionit rregullator për energjetikë.

“Jemi të vetëdijshëm se dorëzimi i nënshkrimeve për këtë projekt-ligj për ndryshimin e legjislacionit në energjetikë ndodh në një moment specifik, në kushte kur demokracia parlamentare është dëmtuar. Megjithatë, AMAN-i ka përgjegjësia ndaj atyre 13.000 njerëzve, të cilët kanë dhënë nënshkrimin e tyre për këtë nismë. Prandaj, ne do ta dorëzojmë propozimin dhe nënshkrimet në këtë Parlament, i tillë siç është, pa përfaqësues të opozitës. Edhe sikur ata të ishin brenda, nuk do të ishte e mjaftueshme, sepse, megjithatë, për të kaluar ky propozim, nevojiten votat e shumicës në Kuvend. Tani edhe më qartë përgjegjësia gjendet mbi ta, dhe për këtë arsye presim që deputetët dhe partitë politike në pushtet, si dhe dy partitë parlamentare të opozitës, ta mbështesin dhe ta miratojnë propozimin e qytetarëve”, kumtuan përfaqësuesit e AMAN-it.

Në kumtesën e AMAN-it thuhet se kjo iniciativë qytetare ka të paktën dy arsye të mira të cilat mund t’ua paraqesë deputetëve në favor të miratimit të iniciativës. “E para, kërkesat tona në këtë propozim janë modeste: të kthehet tarifa e lirë brenda ditës për rrymën elektrike, dhe të mos paguajnë për ngrohje qendrore ata që nuk e shfrytëzojnë atë. Paramendoni, kërkojmë të drejtën që ta kemi po atë lehtësim që e kemi përdorur me dekada, dhe kërkojmë që njerëzit të mos paguajnë diçka që nuk e shfrytëzojnë. Kjo është pak, në krahasim me shpenzimet e mëdha për energji, me të cilat, në mënyrë direkte apo indirekte, ngarkohen qytetarët. E dyta, pas zhvillimeve të fundit në Parlament, pranimi i iniciativës së AMAN-it do të jetë një argument i mirë për shumicën në pushtet, se, megjithatë, ajo është legjitime që t’i përfaqësojë dhe t’i mbrojë interesat e qytetarëve. Kjo është një iniciativë burimore qytetare, që është e lidhur drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve, dhe ka mbështetjen e 13.000 qytetarëve, të ndryshëm në shumë aspekte, por të bashkuar në problemin e shtrenjtimeve”, thonë në AMAN.

Kjo nismë qytetare do të vazhdojë të veprojë nëpërmjet formave të ndryshme të aktivizmit qytetar, duke përfshirë iniciativa të këtilla që do t’i dorëzohen Kuvendit, por edhe institucioneve të tjera. “Nuk do të ndalemi, dhe gjithmonë do t’i sfidojmë institucionet që të punojnë më mirë, në interes të qytetarëve”, theksohet në fund të kumtesës së kësaj iniciative qytetare.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button