Presidenti Ivanov për vizitë zyrtare në Katar

Me ftesë të emirit të Katarit, sheikut Hamad bin Kalifa al Tani, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, prej sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare dyditore në shtetin e Katarit.

Kryetari i Maqedonisë dhe emiri al Tani, në takimin në Doha do të shkëmbejnë mendime dhe informacione për marrëdhëniet e deritanishme bilaterale dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve.

Fokusi i bisedimeve do të jenë mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit në ekonomi, por edhe në sfera të tjera nga interesi i përbashkët.

Gjatë vizitës është planifikuar avancimi i mëtutjeshëm i kornizës së dakorduar midis të dyja vendeve, me ç’rast është paraparë të nënshkruhet memorandumi për mirëkuptim në sferën e turizmit dhe për bashkëpunim midis odave ekonomike të Maqedonisë dhe të Katarit.

Në delegacionin e kryesuar nga presidenti i Republikës së Maqedonisë është edhe ministri i Ekonomisë, Valon Saraqini.

Maqedonia dhe Katari deri më tani kanë nënshkruar marrëveshje për shmangie të tatimit të dyfishtë, për bashkëpunim në sferën e arsimit, në bujqësi dhe në mbrojtjen e përbashkët të investimeve.

Sipas agjendës, presidenti Ivanov nesër do ta vizitojë edhe Universitetin Xhorxhtaun, ku do të mbajë ligjëratë në temën “Ballkani dhe Gjiri: udhëkryq i civilizimeve”.

Bashkëshortja e presidentit të Maqedonisë, Maja Ivanova në kuadër të vizitë zyrtare do të realizojë takim me Moza bin Naser, bashkëshorte e emirit të Katarit dhe do ta vizitojë Qendrën Shafalah për fëmijë me nevoja të veçanta.

Kjo është vizita e parë e presidentit Ivanov në Katar, që zhvillohet pas vizitës zyrtare dyditore të emirit të këtij vendi në Republikën e Maqedonisë, më 17 dhe 18 tetor të vitit 2011. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button