(UPDATE) : Foto nga Marshi i rezistencës së LSDM

Opozita e bashkuar “Bashkim për ardhmëri” sot në Shkup organizoi marsh protestues nën moton “Rezistencë kundër regjimit Partiak-policor”. Të pranishmëve të shumtë, të cilët kishin ardhur me autobusë nga më shumë qytete të vendit, iu është drejtuar lideri i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski. 

Branko ka akuzuar në seri kryeministrin Nikola Gruevski se për shtate vite ka qeverisur shtetin me kërcënime dhe shantazhe, përndjekje dhe dënime. 

“Mjaft është! Shtatë vite na  gënjyet dhe na manipuluat. Na trajtuat si fëmijë të vegjël, si analfabetë, si minj për eksperimente mediale, për propaganda gebelsiane. Shtatë vite pamë se si në mënyrën më të keqe i shpenzuat mjetet e qytetarëve. Dhe përse? Për të mbushur makinat e shpëlarjes së parave, për të shëruar komplekset dhe frustrimet tuaja. Kurse jetesa bëhet përditë e më e vështirë”, ka deklaruar Cërvenkovski. 

Branko ka vijuar me akuzat duke thënë se “për shtatë vite ky pushtet ka qeverisur me vendin sikur të ishte pronë e tij private”. 

“Ky popull heshti dhe priste diçka më të mirë. Por e mira nuk erdhi. Kjo nuk është vetëm reagim i së hënës së zezë. Ajo ngjarje ishte vetëm një pikë që mbushi kupën. Kjo sot është lakuriqësim i realitetit të rëndë ku jetojmë me këtë pushtet. Pas 7 viteve nga rilindja e tyre, Maqedonia është më e varfër, më e zhytur në borxh dhe më larg perspektivave euroatlantike se ndonjëherë më parë. Me rilindjen e tyre, Maqedonia u shndërrua në shtet kriminel të mbrojtur nga vetë pushteti. Ky është vend në të cilin është instaluar regjimi partiako-policor. I tërë pushteti është i përqendruar mbi një grup njerëzish. Ata ndezin, ata djegin. Ata arrestojnë, ata gjykojnë”, ka theksuar Cërvenkovski.

********************************************

Marshi fillon në ora 12 nga udhëkryqi mes rrugës “Bradfordska” dhe rrugës “Jurij Gagarin”, e cila lidhet me rrugën “Fronti kombëtar” deri te tregu i luleve, ku kolona do të vazhdojë në bulevardin Shën Kirili dhe Metodi. Nga këtu, kolona do të qarkullojë në anën e kundërt në të njëjtin bulevard, përskaj QT. “Ramstor”, e deri tek udhëkryqi me rrugën “Bihaqka”, ku do të vazhdojnë në të djathtë deri tek Ministria e punëve të brendshme.

“Kjo qeveri refuzon të merr përgjegjësinë për ngjarjet e të “hënës së zezë”, për suspendimin brutal të demokracisë në vend, dhe refuzon të shprehë vullnet për kthimin e demokracisë në Maqedoni. Për tërë këto, lëvizja e rezistencës bëhet dita ditës më e fortë”, tha deputeti i LSDM-së, Andrej Petrov i cili u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen në marshin dhe t’ë bëjnë rezistencë kundër qeverisjes aktuale.

Ndryshe, deputeti i LSDM Jani Markaduli mbrëmë ka publikuar edhe një video nga ngjarjet e dhunshme të 24 dhjetorit.

Lajme të ngjashme

Back to top button