VMRO-DPMNE e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE është e gatshme për t’u ballafaquar me LSDM-në edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

Ky qëndrim vjen nga burime të larta brenda kësaj partie, të cilët theksojnë se janë të gatshëm për tu ballafaquar edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare me opozitën maqedonase. 

“Ne jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me opozitën në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kryeministri Gruevski është i gatshëm edhe për një hap të tillë, për të pasur betejë me liderin e opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, një zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE. Sipas tij, partia e tyre bindshëm do të fitojë edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në rast se ato do të mbaheshin së bashku me zgjedhjet lokale. 

Kryeministri Gruevski deri tani zyrtarisht është deklaruar kundër zgjedhjeve të parakohshme, por kohë më pare, pas një konflikti me BDI-në, kishte dhënë sinjale se është i gatshëm të ballafaqohet në zgjedhje të parakohshme, në rast se ashtu dëshiron partia shqiptare. 

Opozita maqedonase ka bërë të ditur se do të vazhdojë protestat në rrugë deri në plotësimin e kërkesave për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në pako me ato lokale. Kjo kërkesë e opozitës ishte edhe si shkas që të dështojë takimi midis Gruevskit dhe Cërvenkovskit, i thirrur për tejkalimin e krizës politike në kampin maqedonas. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button