Në Bosnjë filloi hetimi i ri për “kingerin”

Ekipi hetimor i cili duhet t’i vërtetojë faktet lidhur me vdekjen tragjike të presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski në fatkeqësinë ajrore më 26 shkurt të vitit 2004 në afërsi Mostarit, filloi me punë, pasi ministri i Komunikacionit të BeH-së, Damir Haxhiq nënshkroi vendimin për formimin e tij, transmetoi agjencia “Tanjug”.

“Ekipi hetimor në përbërjen e të cilit janë 15 anëtarë është i ndarë në pesë komisione dhe ata tashmë kanë filluar të punojnë, tha këshilltari i ministrit dikasterial dhe anëtar i ekipit, Omer Kuliq.
Kuliq sqaroi se në punën e komisionit participojnë përfaqësues, gjegjësisht ekspertë të katër vendeve – Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Serbisë, ndërsa konsultat i vazhdueshëm i tyre është nga konsullata e SHBA-ve.

Në cilësinë e kryetarit të ekipit, Kuliq tha se deri tani janë bërë kontakte me të gjithë anëtarët, me ç’rast janë saktësuar detyrat konkrete dhe metodologjia e punës.
Sipas metodologjisë, pesë komisionet e përbërjes së këtij ekipi punojnë në mënyrë të pavarur, dhe pas mbarimit të aktiviteteve të planifikuara, ata do të takohen dhe do të bëjnë raport të përbashkët.

Hetimi i ri në BeH është hapur, pasi Qeveria e Maqedonisë ngriti procedurë lidhur me të, pasiqë ekipi i ekspertëve të Maqedonisë, në ndërkohë, mblodhi dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e hetimit lidhur me vdekjen e presidentit Boris Trajkovski, bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të ekipit. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button