RVM, nesër fillon paraqitja në Lotarinë Amerikane
Nesër (e mërkurë 7 tetor) ora 18:00 fillon periudha e regjistrimit elektronik për lotarinë DV-2022 në, dhe do të zgjasë deri më 10 nëntor 2020, në ora 18:00 sipas kohës lokale, njofton Portalb.
Aplikuesit mund të gjejnë formularin elektronik për lotarinë si dhe të gjitha udhëzimet në ueb faqen zyrtare dvprogram.state.gov
- Regjistrimi për këtë program është falas.
- Aplikuesit inkurajohen të përgatisin dhe të parashtrojnë regjistrimet e tyre sa më herët.
- Aplikuesit mund të përdorin një palë të tretë për të paraqitur aplikimin në emër të tyre. Sidoqoftë, secili kandidat personalisht është përgjegjës për të siguruar që informacioni i paraqitur është i saktë dhe i plotë. Informacioni i pasaktë ose që mungon mund të diskualifikojë aplikantin edhe pas zgjedhjes si fitues i lotarisë.
- Pavarësisht nëse regjistrimi kryhet personalisht, ose ndihmohet nga një palë e tretë, siç mund të jetë avokati, miku ose ndonjë nga të afërmit, vini re që në emër të një individi mund të bëhet vetëm një regjistrim.
- Regjistrimet e shumëfishta për të njëjtin individ do të rezultojnë me diskualifikim nga programi.
Çdo aplikues duhet të printojë dhe të ruajë faqen e konfirmimit, që shfaqet pasi të keni përfunduar regjistrimin. Kjo do t’ju nevojitet më tutje për të kontrolluar statusin e regjistrimit. Për më tepër, çdo aplikues duhet të mbajë kopje të numrit unik të konfirmimit, të paktën deri më 30 shtator 2022, pavarësisht nga përzgjedhja fillestare. Ky numër është mënyra e vetme për të kontrolluar nëse një aplikues është përzgjedhur apo jo.
Duke filluar nga data 8 maj 2021, aplikuesit mund të kontrollojnë nëse janë përzgjedhur për programin.
Lotaria amerikane iu mundëson shtetasve të Maqedonisë së Veriut të fitojnë kartelë të gjelbër amerikane me të cilën mundëson qëndrim të përhershëm ligjor në SHBA.